Lamborghini Huracán
Versioni Evo RWD sjell tërheqjen mbrapa dhe shumë adrenalinë
Lamborghini Huracán nuk është një model i ri në treg, por prodhuesi bolonjez duket se ka qenë në gjendje të tërheqë vëmendjen e të apasionuarve dhe shtypit me një version të rishikuar të “dyvendëshes” ekzotike. Nuk bëhet fjalë për rinovim të mirëfilltë më shumë sesa për një seri të veçantë, por risitë nuk janë të pakta. Parakolpi psh. tani ka gojëza ajri të zmadhuara duke i dhënë një pamje të re më agresive ndërsa kapaku i motorit mund të zgjidhet në dy versione: njëri me xham transparent që lejon të shijosh pamjen e 10-cilindërshit ndërsa modeli tjetër ka mbulesën karakteristike me të çara si hala peshku.
Nuk ndryshojnë përmasat duke ruajtur kështu të gjitha hapësirat të pandryshuara, përfshirë kapacitetin e bagazhit, jo më shumë se 100 litra.
Emri i saktë i këtij versioni është Lamborghini Huracán Evo RWD dhe siç ndoshta kuptohet nga emri, karakteristika kryesore që sjell është tërheqja në aksin e pasëm. Mungesa e tërheqjes në aksin e parë sjell një zvogëlim peshe që së bashku me përmirësimet aerodinamike premton përmirësim të performancës dhe të kënaqësisë në timon.
Motori 5.200 kubikë me 10 cilindra në formë V zhvillon 610 kuaj fuqi në regjimin 8.000 xhiro/min dhe një moment rrotullues prej 560 Nm në 6.500 xhiro/min. Edhe pse mbresëlënëse, më të vëmendshmit do të shohin se kemi 30 kuaj fuqi më pak krahasuar me versionin me katër rrota aktive, por nga Bologna garantojnë se kjo kompensohet nga reduktimi i peshës. Mbi peshore Huracán Evo RWD shënon vetëm 1.389 kg, 33 kg më pak se versioni 4×4.
Kambio e vetme e disponueshme është automatike me shtatë marsha dhe dopio freksion.
Performanca, si gjithmonë pika e fortë e çdo Lamborghini është sipërore. Për të shkuar nga 0 – 100 km/h Huracán-it i duhen vetëm 3.3 sekonda ndërsa për të shkuar nga 0 -200 km/h duhen 9.3 sekonda. Praktikisht, Huracán arrin 200 km/h në kohën që makinat e zakonshme arrijnë në 100 km/h. Shpejtësia maksimale arrin në 325 km/h ndërsa nëse ka ndonjë kurioz për konsumin, Lamborghini deklaron mesatarisht 13.8 litra/100 km. Nuk duket shumë, por jemi të bindur se tek Kastrati do të gëzohen më shumë nëse blini një të tillë sesa një Golf VII 🙂
Teknokogjia e disponueshme e Huracán është jo vetëm në dobi të performancës por edhe të komoditetit. Infotainment komandohet nga ekrani 8.4″ dhe sistemi ofron mundësi ndërlidhjeje me platformën Apple Carplay.
Elektronika është kryefjala edhe për funksione të tjera. Performance Traction Control System është një sistem kontrolli aktiv që dallon nëse ndonjë nga rrotat nuk është duke lëvizur me shpejtësinë e rrotave të tjera dhe konfiguron fuqinë e transmetuar për të patur një makinë sa më të balancuar në çdo rrethanë. Ky sistem është shumë më i dobishëm në këtë version, sepse siç dihet, në makinat me fuqi të mëdha dhe tërheqje mbrapa, është shumë e thjeshtë që të ketë xhirime gomash dhe ky sistem ndihmon për ta sjellë sa më shpejt makinën në ekuilibër pas çdo “drifting“.
Një tjetër ndihmesë e rëndësishme vjen mga programet e guidës Strada, Sport dhe Corsa (nga italishtja: Rrugë, Sport dhe Garë) të cilët mund të përzgjidhen nga sistemi Anima, akronim i Adaptive Network Intelligent Management.
Disqet në versionin “normal” janë 19″ por mund të porositen edhe 20″ ndërsa frenat përveç versionit me disqe çeliku të autoventiluara (me vrima) mund të porositen edhe në material të përbërë karbon dhe qeramikë.
Lamborghini Huracán Evo Rwd mund të porositet tani edhe në ngjyrën e re “Giallo Belenus” për dorëzimet e para diku nga pranvera. Për të bërë këtë do të duhet të bëni gati pagesën për çmimin minimal prej 160.000€ pa taksa, por lajmi i keq është që në Shqipëri nuk ka një shitës zyrtar Lamborghini, kështu që kur ta porosisni mos harroni të kërkoni çmimin neto për eksport (pa TVSh), edhe sepse do të duhet ta paguani gjithsesi më doganë.