Opel Corsa fiton çmimin Autobest 2019
Kompaktja gjermane bind 31 anëtarët e jurisë
Opel Corsa (lexo këtu prezantimin e modelit) ka arritur të bindë 31 anëtarët e jurisë së organizatës Autobest duke fituar titullin “Best Buy Car of Europe in 2020” (Blerja më e mirë në Europë 2020).
“Receta” e prodhuesit gjerman për këtë model ka qenë një miks ambicioz elementësh. Dinamike, praktike dhe elektrike, bashkuar edhe me çmimin e ulët, Opel Corsa e re është vërtet makina elektrike për të gjithë. Ky ka qenë edhe objektivi i deklaruar nga vetë Opel: të prodhojmë një model që do të mundësojë përdorimin masiv të makinave elektrike. Ky objektiv dëshmohet akoma më shumë nga fakti që deri në 2024 prodhuesi gjerman zotohet të ketë të gjithë gamën të elektrifikuar 100%. Nga ana tjetër Corsa është e vetmja makinë që ka fituar tre herë këtë çmim ndërkombëtar duke shënuar kështu një tjetër rekord.
“Ne jemi shumë të lumtur të fitojmë këtë çmim”ka deklaruar Michael Lohscheller, CEO i markës Opel. “Gjykimi dhe vlerësimi i gazetarëve të lirë dëshmon se me Corsën e re ne kemi krijuar një makinë të frymëzuar nga e ardhmja, me teknologji efiçente dhe me veti dinamike në guidë.”
Diçka të ngjashme ka deklaruar edhe Dan Vardie, themeluesi dhe drejtori i AUTOBEST: “Opel Corsa e re është shembulli perfekt se si mund të elektrifikohet masivisht mobiliteti.”
Në renditjen përfundimtare, kompaktja gjermane ka lënë pas francezen Peugeot 208, ku më pas ndjekin Skoda Kamiq, Renault Clio dhe Nissan Juke. Kjo është hera e parë që këtë çmim e fiton një makinë që përfshin edhe versione 100% elektrike të cilat kanë patur padyshim një rëndësi të madhe në sytë e jurisë, pasi kjo teknologji për shumë prej nesh përfaqëson tashmë të ardhmen e automobilizmit.
Çmimet e tjera të këtij konkursi u fituan respektivisht nga Volkswagen ID.3 (çmimin Ecobest) ndërsa çmimin Smartbest e fitoi marka çeke Skoda për asistenten virtuale në bord. Çmimin Technobest e fitoi prodhuesi japonez Mazda për cilësinë e motorit të benzinës (pa kandele) Skyactiv-X.