Toyota Land Cruiser feston
Toyota Land Cruiser, fuoristrada ikonë e prodhuesit japonez duket arrin një objektiv të shumëdëshiruar nga shumë marka dhe modele. Këtë vit, Toyota numëron plot 10 milionë ekzemplarë të shitur në mbarë botën.
E prodhuar për herë të parë në vitin 1951, Toyota ka ditur të rinovojë modelin ndër vite, pa i ndryshuar ADN-në modelit, i cili lindi pas luftës së Dytë Botërore për të konkurruar Jeep-in amerikan. Land Cruiser nuk duhet ngatërruar me Suv-ët apo Crossover-at me pamje qytetare që nganjëherë vuajnë më shumë se veturat nëse kushtet e rrugës vështirësohen.
Toyota Land Cruiser shitet sot në më shumë se 175 vende me një volum mesatar shitjesh që varion midis 400-450.000 njësi çdo vit. Cilësitë e saj kryesore të mirënjohura janë besueshmëria dhe soliditeti, garanci e një makine që arrin të përballojë terrene të pafundme dhe që zgjat në kohë.