Fiat – Chrysler bashkohet me grupin francez PSA
Tashmë lajmi është zyrtar: grupi italo amerikan Fiat – Chrysler (FCA) do te bashkohet me grupin francez PSA Groupe.
Bëhet fjalë këtu për një lëvizje strategjike midis kolosësh që frytet e saj do t’i japë në disa vite, por duket se bursa pati menjëherë reagimet e saj. Ditën e zyrtarizimit të lajmit bursa e Milanos në Piazza Affari pati reagime pozitive me një rritje prej gati 9% ndërsa praktikisht e kundërta ka ndodhur në Francë ku grupi PSA humbi rreth 9.5%.
Grupi Fiat – Chrysler është pronar i markave Abarth, Alfa Romeo, Chrysler, Dodge, Fiat, Fiat Professional, Jeep, Lancia, Maserati, dhe Ram Trucks ndërsa grupi francez është pronar i markave Citroën; DS; Ambassador; Opel; Peugeot; Vauxhall; Aixam
Shkrirja midis dy grupeve parashikon një bashkim të barabartë 50/50 me synimin që Grupi i katërt në botë lind me një xhiro vjetore prej 170 miliardë euro në vit dhe me fitime neto në kuotën 11 miliardë. Objektivi është të vazhdohet në rrugën e përforcimit të lidership-it nga përmasat dhe nga shtrirja në treg.
Drejtimi i grupit do të bëhet nga një bord prej 11 anëtarësh ku secili nga grupet do të zgjedhë 5 prej tyre ndërsa anëtari i 11 do të jetë Carlos Tavares, aktualisht Ceo i grupit PSA.