na ndiq ne

Toyota Mirai rinovohet në 2020

06/11/2019

Makinat elektrike janë një refren i pandalshëm tashmë dhe rruga e nisur është ende e gjitha për t’u zbuluar. Nëse energjia elektrike është një e vetme, mënyra për ta përdorur atë në makina parashikon tani dy variante të ndryshëm nga njëri – tjetri: nëpërmjet akumulatorëve (baterive) që duhet të karikohen rregullisht dhe së dyti, si rasti që do të ndjekim, është nëpërmjet hidrogjenit.

Në këtë rast, teknologjia quhet “Fuel Cel” dhe nuk ka nevojë për karikim, por për hidrogjen, si një lloj “karburanti” i cili rimbushet në stacione furnizimi me të njëjtën kohë që duhet sot për një furnizim me naftë ose benzinë. Hidrogjeni më tej përzihet me oksigjenin duke prodhuar elektricitet për motorin elektrik dhe ujë në vend të tymit.

Gjigandi japonez nuk e ka fshehur kurrë që beson shumë në këtë projekt, aq sa ka përgatitur modelin Mirai, të prezantuar për publikun në vitin 2014, i cili vjen tashmë në gjeneratën e dytë, pas 10.000 njësish të shitura. Në vitin që vjen, ky model do të dalë në treg në Japoni dhe Amerikën e Veriut dhe më tej edhe në Europë.

Toyota Mirai Concept ka një pamje vërtet të veçantë krahasuar me modelet e tjera aktuale. Turiri i gjatë, forma sportive dhe linjat e ekuilibruara e bëjnë atë një Coupé me katër dyer elegante dhe luksoze.

Nisur nga kjo pamje, vërtet e realizuar mirë, nuk do ta thoshim kurrë që Toyota Mirai bazohet në të njëjtën shasi të Prius-it, me ndryshimin që tërheqja është në aksin e pasëm.

Përmasat e Toyota Mirai-t janë të bollshme. Me gati 5 metra gjatësi (saktësisht 497,5 cm) ky model ofron garanci për një jetë optimale në bord.

Nga brenda të habit sasia e dritës që lejon në kabinë sipërfaqja e madhe e xhamit ndërsa kruskoti dhe veshjet janë cilësore dhe origjinale. Monitori 12.3″ është bashkëkohor dhe ofron një sasi të madhe informacionesh të cilat janë të lexueshme lehtësisht.

Sipas burimeve zyrtare nga Toyota, Mirai e re mund të përshkojë 30% më shumë kilometra krahasuar me modelin e vjetër.

Detajet e tjera mbi teknologjinë, motorin dhe autonominë do të zbulohen më tej, por Mirai është thuajse gati për treg. Mund të themi vërtet gjynah që ne nuk kemi mundësi në Shqipëri ta kemi një të tillë sepse hidrogjeni tek ne duket vërtet një skenar fantastiko-shkencor.