na ndiq ne

BMW Seria 2 Gran Coupé

31/10/2019

Prodhuesi Bavarez zgjeron ofertën me një propozim interesant dhe një emër premtues: BMW Seria 2 Gran Coupé. Nga vetë emri, ky model i shtohet listës me përfaqësues prestigjiozë si Seria 4 dhe Seria 8 në versionet Gran Coupé.

Në të njëjtën linjë, Seria 2 kërkon të ruajë të njëjtën filozofi, pra të sjellë një sedan në “kostum sportiv” për një segment më ekonomik sesa modelet e përmendura më lart. Objektivi i deklaruar është i qartë: Mercedes CLA ka një kundërshtar “patriot”.

Nga jashtë Seria 2 Gran Coupé paraqitet ambicioze, me maskerinon agresive dhe “dopio-veshkën” moderne në stilin e modeleve të fundit të familjes. Shasia e këtij modeli derivon nga Seria 1 nga e cila merr edhe shumë elementë të tjerë “nën lëkurë”. 20 cm më e gjatë se Seria 1 janë mjaftueshëm për ta bërë këtë model më të madh, me më shumë hapësirë brenda dhe me një “trup” superior.

Në profil forma është sportive me një fije përpunimi klasik në zonën e derës së pasme, por me detajet moderne me linja të gdhendura dhe me dyert pa kornizë, që i japin një karakter serioz. Linjat vijnë duke u mbyllur në mënyrë harmonike me një të pasme prej Serie 3 ku spikasin dritat në reliev, të ngushta dhe të gjata, sipas modës. Dy tuba shkarkimi të vërtetë si në makinat sportive qëmoti përforcojnë karakterin sportiv.

Nga brenda organizimi i përgjithshëm është i huazuar nga Seria 1 me disa risi teknologjike si sistemi operativ i infotainment që përfshin BMW Operating System 7.0. Ekranet Led plotësojnë kuadrin dixhital dhe ekranin e infotainment në qendër të kruskotit. Hapësira është përmirësuar krahasuar me Serinë 1 sidomos në pjesën e pasme ku pasagjerët kanë 3.3 cm më shumë në zonën e gjunjëve ndërsa bagazhi arrin kuotën 430 litra.

Motorizimi për momentin parashikon teknologjinë “tradicionale” me benzinë dhe naftë. Versioni 218i me benzinë bazohet në motorin 1.500 kubikë dhe zhvillon 140 kuaj fuqi, versioni 220d bazohet në motorin 2.000 kubikë me naftë dhe 190 kuaj fuqi  ndërsa versioni sportiv M235i bazohet në motorin 2.000 kubikë me turbo (benzinë) dhe zhvillon 306 kuaj fuqi. Për këtë version parashikohet edhe tërheqja integrale 4×4. Versioni 218i në versionin bazë del nga fabrika me kambion manuale, por me kërkesë (dhe pagesë) mund të kalohet në kambion automatike me shtatë marsha dhe dopio freksion. Versionet e tjera dalin të pajisura me kambion automatike.

BMW Seria 2 Gran Coupé do të dalë në treg vitin tjetër me çmime që fillojnë nga rreth 29.000euro në tregjet kryesore europiane.