na ndiq ne

Volvo XC40 Recharge thyen akullin “elektrik”

27/10/2019

Prodhuesi suedez duket vazhdon të bëhet edhe më ambicioz në frontin elektrik. Brenda 2025, Volvo synon që 50% e makinave të saj të shitura në treg të jenë elektrike. Kjo do të varet nga shumë faktorë, mbi të gjithë cilësia dhe rendimenti i makinave të ofruara. Siç e dijmë, sektori elektrik është një front i ri për të gjithë prodhuesit ku kolaudimet janë ende minimale.

Modeli i parë 100% elektrik nga Volvo është SUV-i kompakt best seller XC40 i prezantuar pak ditë më parë, me pagëzimin Recharge për ta dalluar nga versionet me motor termik.

Nga ana estetike Volvo XC40 Recharge është thuajse identike me modelin “origjinal” përveç ndryshimit të maskerinos, që këtu është e mbyllur pasi motori elektrik nuk ka radiator. Risitë dhe ndryshimet vijnë nën lëkurë. Telaio e Volvos XC40 është modifikuar për t’u bërë vend baterive, të vendosura në shasi, për të ruajtur kështu bariqendrën e ulët. Ndryshimet këtij modeli ndikojnë edhe në kapacitetin e bagazheve. Një sasi jo e madhe, vetëm 30 litra, mund të karikohet poshtë kapakut të motorit, duke qenë se vëllimet që nevojiten për motorin elektrik janë të vogla. Kapaciteti i bagazhit të pasëm është 410 litra në konfigurimin normal, me sediljen e pasme në përdorim.

Megjithë punën e mirë të teknikëve, Volvo XC40 tejkalon kuotën 2.150 kg, jo pak për një Suv kompakt, por motori elektrik premton një fuqi prej një makine sportive. 408 kuaj fuqi dhe 660 Nm moment rrotullues, garantojnë një performancë të lartë. 0-100km/h arrihet në fakt për vetëm 4.9 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale është 180 km/h. Autonomia e deklaruar është mbi 400 km. Motorët janë dy, nga një për çdo aks, për të ofruar tërheqjen integrale 4×4. Bateritë kanë një kapacitet prej 78 kWh dhe karikohen deri në 80% për 40 minuta nëpërmjet një postacioni me tension të lartë.

Në bord të Volvos XC40 pak gjëra kanë ndryshuar. Sistemi infotainment braktis sistemin Sensus të prodhuar nga Volvo dhe bazohet në një version të veçantë Android, të projektuar apostafat për makinat. Nëse në dukje kjo risi nuk thotë shumë, përveç kursimit ekonomik të prodhuesit, që nuk duhet të zhvillojë më një sistem për komandat në bord. Nga ana praktike ama do të thotë shumë, sepse shërbimet në bord tashmë i besohen Google-it, me mundësinë e shkarkimit të aplikacioneve nga Playstore, komandimit zanor të një asistenti Google për të rregulluar temperaturën në bord, përzgjedhjen e muzikës apo dërgimin e mesazheve (që me siguri nuk parashikojnë gjuhën shqipe në fjalor).