Lexus RX hibride
SUV-i japonez i prodhuar nga Toyota për segmentet luksoze, pas disa vitesh në treg i nënshtrohet një rinovimi të lehtë, pak a shumë në gjysëm të ciklit të jetës. Bëhet fjalë për një “facelift” kryesisht estetik, por nuk mungojnë rinovimet teknologjike.
Në Europë versioni kryesor i këtij Suv-i është ai me shtatë vende dhe motorizim hibrid.
Nga ana estetike rinovimi ka të bëjë me ndryshime të vogla të parakolpit, fenerëve që bëhen më të hollë dhe dritat e mjegullës që “zbresin” pak më poshtë. Në zonën e pasme i vetmi ndryshim është design i brendshëm i dritave që natyrisht janë me teknologji led.
Nga brenda Lexus RX nuk ndryshon thuajse fare. Siç mund të mendohet, pjesa që përmirësohet është teknologjia në bord, duke filluar nga sistemi infotainment. Ekrani me prekje rritet nga 8″ në 12.3″ për një efekt skenografik më të dukshëm. Këtu komandohet navigatori satelitor dhe radio apo mundësia për të luajtur muzikë nëpërmjet portave USB, numri i të cilave është 4, për të karikuar, sipas nevojës, deri në katër celularë njëkohësisht.
Komandimi në zonën e poshtme të bllokut të komandave nuk është më me joystick por me një touchpad, alternativë e touchscreen, për ata që preferojnë ta komandojnë me dorën e djathtë duke mos cënuar pozicionin e guidës.
Natyrisht ndërlidhja me celularin ofrohet nëpërmjep Apple CarPlay dhe Android Auto.
Për një makinë të këtij niveli, që ofrohet duke filluar nga 69.000 euro dhe me objektivin ambicioz për të konkurruar segmentin e luksit europian, ndoshta duhet të ishte parashikuar edhe ndonjë “frigorifer” i vogël i vendosur diku në kruskot apo në zonën e mbështetëses së krahëve.
Motori është njësia 3.500 kubikë V6 me benzinë me fuqi 262 kuaj, të cilit i vijnë në ndihmë dy motorë elektrikë, një për çdo aks, me fuqi respektive 168 kuaj përpara dhe 68 kuaj mbrapa.
Fuqia totale e sistemit është 313 kuaj ku motorët elektrikë kanë funksionin kryesor optimizimin e konsumit.
Interesant është fakti që pjesët mekanike kanë një garanci prej 10 vjetësh ose 250.000 km, e padëgjuar kjo për shumicën prodhuesve europianë.