na ndiq ne

Land Rover Defender 2020

23/09/2019

Në panoramën automobilistike të botës “off road” (ose fuoristrada qiç i quajmë më shpesh), ndër modelet e shumta në qarkullim, mund të identifikojmë një “treshe” që ndër dekada ka qenë ikonike për design, thuajse të pandryshuar, stil origjinal dhe performancë, të patrembura në çfarëdolloj terreni. Kemi në mendje këtu Mercedes G Class, (kliko këtu për artikullin) Jeep Wrangler (kliko këtu për artikullin)dhe Land Rover Defender.


Kjo e fundit, ndryshe nga dy emrat e parë, ka vendosur të bëjë një kthesë radikale në ADN e saj dhe të sjellë (pas një pritjeje të gjatë) një model të revolucionalizuar, sipas prodhuesit.
Prezantimi i saj në sallonin e Frankfurtit është bërë në një stand të dedikuar dhe skenik për të vënë theksin në vetitë e saj jashtë asfalti, pika më e fortë e modelit ndër vite.

Qëllimi i Land Rover është të tregojë që Defender nuk e ka ndryshuar ADN-në e saj, edhe pse modeli i ri është aq shumë i ndryshëm nga i pari saqë mund ta quajmë një Defender 2.0. Design i jashtëm është një makinë e kohës sonë, me pamje aktuale, teknologjike dhe shumë më e ngjashme me modelet e tjera të familjes Land Rover, sesa me “veten” e saj përpara rinovimit.
Nga brenda gjejmë gjithashtu një ndryshim radikal, ku më fanatikët do të shtrembërojnë pak hundën nga ekranet me prekje apo teknologjia (e lartë) e pranishme në bord. Sipas tyre, një fuoristadë ekstreme duhet për të shkuar për gjueti, për të eksploruar skaje gjeografike ekstreme apo edhe për misione në vise ku asfalti ende nuk njihet. Në këto kushte, vështirë se një kompjuter bordi me lidhje 5G mund të jetë një aksesor i dobishëm.

Nga ana tjetër, entuziastët e kanë përqafuar gjeneratën e re si një makinë që sipas pritshmërive do të ofrojë aftësi dhe zhdërvjellësi në terrenet e vështira, por që pse jo, ofron edhe teknologjinë bashkëkohore dhe një lloj cilësie të jetës në bord edhe për ata që nuk dalin nga shtëpia që pa gdhirë me çizme deri në gju apo që duan ta përdorin me goma normale për të “përballuar” ndoshta trotuarët e bulevardit apo atë pak rrugë të pashtruar deri tek shtëpia e re tek Gjiri i Lalëzit apo në një zonë malore.
Do t’i rikthehemi shpejt për të trajtuar Defenderin e ri nga ana e telajos, motorizimeve, teknologjisë dhe një provë në terren.