na ndiq ne

BMW sjell X5 e blinduar Protection VR6

20/09/2019

Për makinat e blinduara flitet pak në përgjithësi dhe kjo mund të jetë edhe e kuptueshme në një logjikë tregu, sepse shiten vërtet shumë pak.

Pavarësisht kësaj, për disa prodhues është e rëndësishme që t’i ofrojnë ato edhe sepse ata pak klientë të cilëve u nevojiten, mund të jenë personazhe të rëndësishëm të botës politike, të sportit, artit, muzikës, etj. dhe mbi të gjitha, janë në gjendje të paguajnë çmimin e kripur që një makinë e prodhuar me porosi kushton.


Modeli i fundit në këtë segment, është Suv-i premium bavarez X5. Ideja për një siguri maksimale vetjake që BMW sjell në këtë rast merr një kuptim të ri. Nuk bëhet më fjalë këtu për sigurinë në frenim apo për ruajtjen e korsisë kur nuk jemi të vëmendshëm, por për të përballuar sulme të mirëfillta me armë zjarri automatike apo granata.
BMW në këtë rast është duke menduar kryesisht tregje si Amerika e Jugut, Afrika dhe Rusia, ku sulme të rrezikshme me armë zjarri ndodhin shpesh me qëllime grabitjeje apo rrëmbim personash, por nuk do të refuzojë edhe kërkesa që mund t’i shkojnë nga ndonjë deputet shqiptar 😊
Emri i saktë i këtij modeli është BMW X5 Protection VR6 dhe siç e keni kuptuar tashmë sjell një siguri të nivelit të lartë. Pavarësisht se ky model në vetvete është i orientuar drejt një klientele shumë të veçantë, modeli i blinduar, estetikisht nuk ndryshon nga modeli i zakonshëm.


Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e BMW-së ku edhe ky detaj është konsideruar si element sigurie më vete, duke shtyrë keqbërësit e mundshëm në gabime vlerësimi.
Nga ana teknike, logjika e mbrojtjes bazohet në konceptin e hapësirës së pasagjerëve totalisht të izoluar (blinduar) duke krijuar kështu një “kafaz” sigurie, të ngjashëm me logjikën e strukturës tubolare të makinave të garave GT. Mbrojtja përfshin edhe pjesën e poshtme të shasisë, nën të cilën mund të veprojnë sulmet me eksplozivë.
Xhamat ofrojnë gjithashtu një mbrojtje të nivelit të lartë, falë punimit me shumë shresa dhe trashësisë prej prej 3.3cm. Ndër të tjera, veshja e sigurisë anësore është e përforcuar edhe nga një veshje polikarbonati.


BMW X5 Protection VR6 është kështu në gjendje t’i bëjë ballë plumbave me kalibër 7.62 × 39 FeC ose 7.62 × 39 SC, plumba të përdorur nga automatiku AK-47, i cili sipas statistikave është automatiku më i përdorur në botë. Për ata që po pyesin veten nëse do funksiononte edhe me kallashnikovin, 😊 besojmë se po, duke qenë që modeli i fundit i prodhuar nga kjo fabrikë, parashikon të njëjtin kalibër, por nuk e kemi testuar as ne dhe as BMW. Ndërkohë, kjo makinë është në gjendje të përballojë edhe një sulm anësor me eksploziv të shkaktuar nga shpërthimi i 15kg TNT (tritol) në një distancë prej 4m larg.
Serbatori ka një sistem vetëmbylljeje në rast të dëmtimit të tapës gjatë një sulmi të mundshëm ndërsa gomat runflat me muret anësore të përforcuar janë në gjendje të ecin edhe në humbje të plotë të presionit.


E gjithë kjo masë e rritur në mënyrë artificiale, krahasuar me X5 normale që gjithsesi nuk është tamam pesha pupël, ka nevojë të ketë edhe një hap sportiv qoftë nga shtytja e motorit dhe qoftë nga amortizimi. Ky i fundit është i përforcuar për të garantuar performancë të zhdërvjellët pavarësisht peshës XXL të X5-sës Protection VR6, ndërsa njësia motorike bazohet në versionin 4.400 kubikë me tetë cilindra me benzinë, të vendosur në formë V-je, në gjendje të zhvillojë 530 kuaj fuqi. Ky motor garanton një sprint thuajse sportiv me një kohë 0-100km/h për vetëm 5.9 sekonda.


Sa konsumon kjo makinë? Normalisht nuk është një pyetje që pritet nga klienti i kësaj makine dhe BMW nuk “begenis” ta thotë, siç nuk thotë edhe çmimin e parashikuar.
Mendojmë se vlera e kësaj makine vërtitet rreth trefishit të çmimit për një BMW X5 normale, e cila kushton rreth 70.000euro, por ky mund të jetë çmimi fillestar, pasi edhe këtu “dëshirat dhe nevojat” e klientëve të ndryshëm mbeten prioritet për t’u plotësuar.