Volkswagen Golf VIII do të jetë kështu
Pas shtatë vitesh jetë, duket se gjenerata e shtatë e makinës gjermane më të shitur në botë bëhet gati të dalë në pension. Volkswagen ka tashmë gati Golf-in VIII i cili do të debutojë në treg së shpejti.
Ky model, domethënës për shumëkënd, një ikonë e automobilizmit botëror, ka qenë një simbol i segmentit C i cili më mirë se kushdo ka qenë dhe tregues i kohës së tij (sipas çdo gjenerate) për nga ana e teknologjisë, teknikës dhe stilit. Në këtë rast nuk mund ta fshehim që jemi kuriozë të dijmë se si do të jetë Golfi i ri.
Gjenerata e re do të dale në treg vitin tjetër edhe sepse kolaudimet dhe testimet janë ende të shumta, por ndërkohë le të shohim nga disa këndvështrime si do të jetë Golfi i ri.
Së pari me siguri do të ofrojë motorizime hibride, të cilat do ta bëjnë atë më ekologjike. Do të ketë vallë edhe një variant 100% elektrik, si ato që ka Policia e Bashkisë së Tiranës, apo ky lloj motorizimi do të ruhet për modelet e reja që Volkswagen ka bërë gati për treg?
Së dyti, pritet që Golfi i ri të jetë i teknologjik dhe “komandueshëm” nga celulari, nëpërmjet një aplikacioni, por ende nuk mund të dijmë se çfarë funksionesh do të ketë konkretisht.
Së treti, presim që nga ana e guidës autonome (dhe sigurisë) Golfi VIII të ofrojë frenimin automatik, ruajtjen e korsisë me korrigjim të timonit, apo edhe ruajtjen e distancës në mënyrë aktove nga mjeti që ma paraprin.
Së fundmi, design-i … vështirë të thuhet në detaje se si do të jetë, por perceptohet që nga forma ngjason jo pak me Golf-in VII. Dakord, Golf nuk ka qenë asnjëherë më pionieri në këtë drejtim, por pak më shumë freski mund të kishte qenë me vend, apo jo?
Në këtë pikë, me siguri diferencën do ta bëjnë detajet. Në fund të fundit çdo Golf është besnik i gjeneratës së mëparshme duke krijuar një qëndrueshmëri të lartë të klientelës. Ndoshta ka qenë pikërisht ky sekreti i modelit që ka shitur mbi 35 milionë njësi që nga 1974 e deri më sot.