na ndiq ne

Leksione aerodinamike nga Opel Corsa e re

01/08/2019

New entry” e 2019 nga prodhuesi gjerman, Opel Corsa e re (kliko këtu për artikullin prezantues), është duke konfirmuar përshtypjet e mira me një rritje interesi mbi mesataren.

Përveç të tjerave, kjo makinë duket se ka “sekretin” në një studim të mirë që i është bërë projektit deri në detaje. Siç e dimë, Corsa e re do të jetë një elektrike që parashikohet të bëjë numra të lartë falë një raporti të goditur çmim/cilësi, por gjermania e vogël ka edhe disa sekrete të tjera. Një ndër ta p.sh. është një koncept i optimizuar i efiçencës, i faktuar me një koefiçent aerodinamik CX = 0.29, një vlerë unike për segmentin, që ka pasoja të drejtpërdrejta mbi performancën dhe mbi konsumin. Nëse jeni kuriozë të dini se si arrihet një gjë e tillë, jua shpjegojmë menjëherë.

Së pari pjesa ballore është e reduktuar në vetëm 2.13m2, duke ofruar rezistencë të minimizuar ndaj ajrit që vjen përpara. Në pjesën e poshtme, Corsa ka sipërfaqe të lëmuara që minimizojnë rezistencën gjithashtu ndërsa në pjesën fundore të tavanit, gjendet një spoiler i ngritur që ul turbolencën e krijuar në ecje me shpejtësi duke rritur edhe ngjeshjen në asfalt dhe duke rritur stabilitetin. Në maskerino, një risi unike e Corsës është maskerino e përbërë nga elementë që “hapen dhe mbyllen” në varësi të nevojës së makinës për ftohje të lëngut në radiator.

Nëse mendoni që këto janë risi të mijëvjeçarit të ri nuk jeni plotësisht të saktë. Corsa e gjeneratës së parë, që ka debutuar në vitin 1995 kishte disa elementë aerodinamike që optimizonin koefiçentin në 0.29 falë një spoiler-i në tavan, një tjetri tek rrotat e para dhe kanalizime ajri përgjatë dyerve (në pjesën e poshtme) që garantonin një efiçencë të lartë. Mendoni se poflasim për fantashkencë në 1995? Jo, ishte Opel Corsa Eco që konsumonte vetëm 3.5 litra/100km, një rekord që zor të kalohet edhe sot.