na ndiq ne

Toyota avancon me guidën autonome

31/07/2019

Guida autonome dihet që tashmë është një nga barrierat e fundit të teknologjisë fantashkencore dhe një nga terrenet ku prodhuesit janë duke konkurruar përditë e më fort. Në këtë drejtim, siç e kemi trajtuar më parë, ka disa kollosë të teknologjisë botërore të angazhuar, jo vetëm nga bota automotive.

Për më shumë qartësi, i referohemi këtu kompanive si Apple, Microsoft, Amazon, Uber, Bosch, etj. që janë prej disa kohësh të angazhuar në këtë drejtim duke krijuar aleanca me markat prodhuese, të cilat natyrisht nuk janë duke ndenjur duarkryq.

Një prej më aktivëve në këtë drejtim është edhe marka nr. 1 në botë, Toyota, e cila në një plan afatshkurtër është duke investuar mbi 200 milionë dollarë në kërkime dhe teste, përveç 300 milionëve të tjerë që është duke i investuar në partneritete me kompaninë Uber.

Projekti i Toyota-s për guidën autonome zgjerohet tashmë edhe në Europë dhe përfshin një marrëveshje konkrete me Belgjikën. Në rrugët e Brukselit mund të ndeshësh një ekzemplar Lexus LS i cili do të qarkullojë në Bruksel për 14 muaj dhe ka për mision të testojë çdo aspekt të sistemeve të guidës autonome, harware apo software qofshin ato.

Makina në fjalë mund të dallohet lehtësisht nga një sërë aparaturash të vendosura në tavanin e makinës, të cilët janë një miks midis sistemeve Radar, Lidar dhe telekamera. Këto aparatura kanë qëllimin e grumbullimit të informacioneve dhe përpunimit me kompjuterat e avancuar për të komanduar makinën në kohë reale. Ndërkohë që testet vazhdojnë, në bord (timon) gjendet gjithmonë një pilot i cili mund të marrë komandën e makinës në çdo moment që mund të shihet e nevojshme. Bashkë me të gjendet edhe një inxhinier i cili analizon përpunimin e të dhënave në çdo moment dhe monitoron funksionimin e çdonjë prej sistemeve në bord.

Në këtë projekt, Toyota frymëzohet nga avionët luftarakë amerikanë, të cilët janë të mirënjohur për kompjuterat e avancuar që përdorin (superkompjutera) të cilët kanë një shpejtësi perpunimi të të dhënave të paimagjinueshme për trurin njerëzor. Në mënyrë të ngjashme, edhe Toyota do të ofrojë superkompjutera që nuk janë parë dhe përdorur kurrë më parë në fushën e “mjeteve me katër rrota”.

Zhvillimi i këtyre prototipëve ka përparuar mjaft dhe tani Toyota është duke menduar për konvertimin në prodhim për masat. Arsyeja e përzgjedhjes së markës Lexus ka të bëjë me justifikimin e çmimit të makinave të para autonome, i cili nuk do të jetë me siguri ekonomik. Kjo gjë ka kuptim për një Lexus, një markë luksoze që është gjithsesi e shtrenjtë edhe si pozicionim normal. Me perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm, për ta bërë makinën autonome një peodukt për masat, do të duhet që së paku të përgjysmohen kostot dhe kjo mund të ndodhë edhe duke i shtyrë ndjeshëm ato.

Si mendoni, do të ishim gati për guidën autonome në Shqipëri?