na ndiq ne

Kawasaki Versys 650

18/07/2019

Këtë artikull, mqs i pari në llojin e tij, po e nisim me një parantezë. Lexuesit e Automag janë mësuar të lexojnë kryesisht për mjetet me katër rrota, por me kërkesë të shumë lexuesve tanë menduam të trajtojmë edhe mjetet me dy rrota si një pjesë e veçantë dhe shumë e bukur e botës së motorëve dhe duke parë stinën, na duket një ide shumë e goditur.


Për ta filluar përzgjodhëm një motor japonez, jo ekstrem, i cili duket se është i përshtatshëm për shumë përdorime, duke përfshirë këtu edhe udhëtimet.


Kawasaki Versys 650
Ndryshe nga bota e makinave, që është kryesisht e lidhur me nevojën dhe dobishmërinë e përdorimit të tyre, bota e motorëve është e lidhur kryesisht me qejfin dhe pasionin, me lirinë dhe dëshirën për aventurë. Kjo gjë është shumë e vërtetë edhe për Kawasaki-n Versys 650 i cili duket se ka disa karakteristika të përshtatshme për këtë drejtim.
Versus është propozimi i këtij prodhuesi japonez për segmentin e motorëve të “enduro rrugorë”. Bëhet fjalë për një kategori motorësh që derivojnë nga garat enduro (për jashtë asfaltit) por me karakteristika të përshtatura për rrugë. Rezultati është një motor i lartë, me timon të gjerë që ofron një kontroll të mirë dhe kompenson bariqendrën e lartë dhe një guidë komode dhe të relaksuar. Gomat në këtë rast, janë me “lule”asfalti dhe seksion të gjerë për të garantuar mbajtje rruge të mirë.


Versus është kompakt në përmasa. Gjatësia është 2.15 metra dhe gjerësia 84 cm. Lartësia e shalës nga toka është 84 cm, që për ata që janë nën 1.80 të gjatë do të thotë që mund të mbështesin vetëm njërën këmbë në tokë, por në kompensim, siç e thamë më lart, timoni është i gjerë dhe ofron një kontroll të mirë të mjetit. Motori (ose grupi i motorit siç themi në këtë rast) është me 2 cilindra në linjë me vëllim 650 kubikë dhe ofrojnë 69 kuaj fuqi në regjimin 8.500 xhiro. Ftohja është me “ujë” (në fakt nuk është asnjëherë ujë por një lëng i posaçëm).
Freksioni është multidisk i lubrifikuar me vaj ndërsa kambio është me gjashtë marsha. Telajo, si në traditën e motorëve të kësaj kategorie është me tuba çeliku, ndërsa frenat janë me dopio disk përpara dhe me një disk të vetëm mbrapa.


Me 650 kubikë Versus hyn në kategorinë e motorëve mesatarë. Kjo kategori përfshin në përgjithësi, sidomos në këtë segment, motorë të “shkathët”, komodë dhe me veti të mira çiklistike. Kjo e bën Versus-in një motor të përshtatshëm edhe për ata që nuk janë ekspertë, por mbetet një motor zbavitës për këdo. Kujtojmë këtu që Versus është një motor i përshtatshëm që do të ofronte një eksperiencë emocionuese në një xhiro të mundshme drejt Drimadhes apo Borshit, ku kthesat që zakonisht na lodhin kur jemi me makinë, në këtë rast janë ndoshta pjesa më e bukur e rrugës 😉


Në raste udhëtimesh, do të ishte me vend përdorimi i valixheve anësore dhe të pasme për të ngarkuar bagazhet.
Kujtojmë këtu që pasioni dyrrotësh është sa i bukur edhe i rrezikshëm, kështu që duhet tëtheksojmë këtu se për çdo xhiro me motor, nuk duhen harruar asnjëherë kokorja, veshja me mbrojtëse në shpatulla, shtyllën kurrizore, bërryla etj. dhe gjithmonë doreza dhe kërpucë me qafë për të mbajtur të mbrojtura këmbët dhe kaviljet. Skena si ato që shohim nganjëherë në rrugë tona, me njerëz që ngasin motorë sportivë me shapka me gisht dhe me bluzë që valëvitet si flamur janë kategorikisht për t’u harruar dhe për t’u dënuar.