Bentley Flying Spur i ri
Luksi flet anglisht
Bentley Flying Spur është një sedan ultraluksoz i prodhuar nga prodhuesi legjendar anglez në momentin e parë që Bentley Motors ndahet nga Rolls Royce. Flying Spur ka qenë modeli i parë me shasi të ndryshme nga ato të gjeneratave të mëparshme dhe që i dha një fytyrë të re vetë markës.
Shpesh kemi vrarë mendjen se cila është diferenca midis një Bentley dhe një Rolls-i (lexo ketu Rolls Royce Phantom) . Duke ju siguruar që kjo pyetje nuk ka arsye të ekzistojë, mund të themi që në rastin e një Flying Spur, sidomos të atij që shohim këtu, Bentley Flying Spur është një makinë që përveç luksit pa kufi, ofron edhe kënaqësi guide dhe performancë, ndërkohë që Rolls Royce mbetet më shumë një makinë për t’ia lënë në dorë shoferit.
Si është gjenerata e re e Flying Spur? Ndoshta këtë mund ta kuptojmë më mirë duke kujtuar sadopak “vëllain” sportiv Continental GT (lexo këtu prezantimin e Bentley Continental GT)
Nga jashtë ngjashmëria është e dukshme midis dy modeleve ku shohim qartë që gjenerata e tretë e Flying Spur braktis linjat e rrumbullakosura “ëmbël” për një design me më shumë karakter. Maskerina është më e madhe dhe dominante me linjat vertikale të kromuara që krijojnë një figurë pompoze. Fenerët janë njëkohësisht një vepër teknologjike dhe artistike që duken si prerje diamanti. “B” fluturuese me dy krahët e engjëllit në kapakun e motorit është një dekor muzeu ndërsa profili është një përzierje e realizuar mirë midis muskujve dhe elegancës. Muksujt shprehen me rrotat gjigande me gomat R22 ndërsa eleganca shprehet në linja. Një gjë që mund të thuhet me plotë gojën për këtë Bentley, është që ka një karakter unik në llojin e saj.
Nga brenda hapet një botë e re. Si në një avion privat luksoz, kabina është mikpritëse, elementët janë të në luksi të niveleve më të larta dhe materialet natyrisht ekskluzive. Hapësira natyrisht nuk mungon në një makinë që është e gjatë nga 485 deri në 531cm, në varësi të versionit të zgjedhur, por nuk është ajo pika më e fortë. Ka një kujdes prej manjaku në çdo detaj. 15 janë ngjyrat e lëkurës së sediljeve, shtatë janë llojet e drurit të kruskotit dhe 17 ngjyrat e jashtme, pa llogaritur këtu kombinimet midis tyre. Cilësia e prekshme është e tillë që refuzon detaje teknologjike si ekrani i sistemit infotainment. Po, pikësisht e kundërta e asaj që ndodh në makina të tjera, ku ekrani me prekje është pika më e fortë, në këtë rast, kruskoti i këtij Flying Spur është më i bukur me ekranin dixhital të rrotulluar “mbrapsh”, duke mos e “prishur” dekorin e drurit të montuar me dorë. Besoj e kuptuam që këtu është e kotë të përmendim fuksione si sediljet që ngrohen apo që ofrojnë masazh, apo jo?
Motorët janë një tjetër pikë e fortë e gjeneratës së re të Flying Spur. Njësia ideale për këtë makinë është ajo me 12 cilindra në formë W, 6.000 kubikë. Fuqia totale është 635 kuaj fuqi me një moment rrotullues mbresëlënës: 900Nm. Rezultati? Pavarësisht peshës së rëndë (2.430kg) Flying Spur përshpejton nga 0-100 për vetëm 3.8 sekonda dhe tejkalon shpejtësinë 330km/h.
Kambio është i bazuar në dopio freksion me tetë marsha dhe tërheqje integrale 4×4.
Si ecën Flying Spur? Amortizatorët me ajër me komandim elektronik janë një xhevahir që garanton komoditet në çdo rrethanë duke e ndarë kabinën nga asfalti … por Bentley ofron edhe sistemin Bentley Dynamic Ride që ka për qëllim të zvogëlojë batimin në kthesa. Kjo sepse nëse e mbani mend, thamë që kjo Flying Spur ka për qëllim të ofrojë edhe kënaqësi në ngarje 😉
Aksi i pasëm ofron rrota aktive në kthesë, të cilat ndjekin orientimin e rrotave të para për më shumë stabilitet, ndërsa në lëvizje me shpejtësi të ulët, rrotat e pasme rrotullohen në drejtim të kundër me timonin, për të thjeshtuar manovrën dhe për të zvogëluar hapësirat e nevojshme për kthesë.
Sa kushton kjo Flying Spur? Mqs në një Bentley çmimi nuk është asnjëherë element kryesor, nuk është publikuar ende. Kemi arsye të besojmë, duke parë çmimin e Continental GT, që nuk do të fillojë më pak se 250.000eur.