Opel Corsa e re
“Një makinë elektrike për të gjithë” ishte një slogan i gjetur që duket se i shkon modelit të ri të Opel Corsa-s. Pavarësisht kësaj, prodhuesi gjerman nuk ka lënë pas dore edhe motorizimet tradicionale, që do të plotësojnë zgjedhjen e pasur që Corsa e re ofron (lexo këtu prezantimin e Opel Corsa 2019 elektrike).
Kështu, me benzinë, naftë apo elektrike, Corsa e re është ndoshta modeli me gamën më të pasur sot në treg për sa i përket motorizimeve.
Rivalja tashmë më e rrezikshme e konkurrentëve si Volkswagen Polo, Ford Fiesta apo Renault Clio është rinovuar thellësisht dhe ofron një nivel pajisjesh dhe teknologjie sipërore për segmentin të cilit i përket.
Nëse kabina është rritur për të ofruar më shumë hapësirë në 4.06 metrat e modelit të ri, motorizimet e reja kanë si objektiv të jenë veçanërisht ekonomikë në konsum dhe mirëmbajtje. Njësitë me benzinë do të bazohen një motorizimin e njohur me tre cilindra 1.200 kubikë që do të zhvillojnë tre nivele fuqie: 75, 100 dhe 130 kuaj. Konsumet mesatare do të variojnë nga 4.1 l/100km për versionin me 75 kf, 4.4 l/100km për versionin me 100kf dhe 5 l/100km për versionin më të fuqishëm me 130kf. Me të tillë konsum benzine, instaluesit e impianteve të gazit rrezikojnë të mbeten pa punë … Motorizimi me naftë ka gjithashtu të njëjtin objektiv, dmth të jetë sa më ekonomik edhe për të ndotur sa më pak mjedisin. Njësia me naftë bazohet në motorin 1.500 kubikë me 102 kuaj fuqi dhe moment rrotullues 250Nm, i cili deklaron një konsum me vlera midis 2.9 dhe 4.6litra/100km.
Një tjetër parametër që dëshmon teknologjinë e lartë të këtij motori është edhe vlera mesatare e ndotjes, vetëm 85 g/km CO2. Për të bërë këtë, Opel ka menduar një zgjidhje intuitive por edhe efikase në të njëjtën kohë. Sistemi i reduktimit të gazrave të shkarkuar parashikon një “trajtim të përbërë” që përfshin katalizatorin që përthith gazrat NOx, përdorimin e lëngut AdBlue, katalizatorit SCR dhe filtrit DPF. Të gjitha këto pajisje janë të bashkuara në një të vetme të pozicionuar afër motorit për të bërë përpunimin e gazrave sa më parë dhe në temp sa më të lartë. Natyrisht për më të ndjeshmit ndaj ambjentit (dhe xhepit) sugjerohet versioni elektrik e-Corsa.
Demonstrimi i teknologjisë së lartë tregohet edhe nga niveli i performancës. Kjo përputhet edhe me objektivin tjetër të projektuesve të Opel-it të etiketuar “Fun & Drive” ,me fjalë të tjera, që Corsa e re të japë edhe sodisfaksion në guidë. Këtë e kuptojmë më mirë nëse shohim performancën e motorëve të rinj. Motori me 130kf përshpejton nga 0-100km/h për vetëm 8.7 sekonda dhe arrin një shpejtësinë maksimale 208km/h. Të tilla vlera janë të denja prej një motori 2.000 kubikë TD që ndot sa dyfishi dhe nuk bën shaka edhe me konsumin.
Kambiot e ofruara janë manuale me pesë ose gjashtë marsha ose automatike me tetë marsha, e përfshirë në çmim në versionin Top me 130 kuaj fuqi. Kjo kambio vjen e pajisur edhe levëzat e ndërrimit të marshave të vendosura pas timonit, njësoj si në makina me vlerë shumë herë më të lartë
Nivelet e pajisjeve të Opel Corsa 2019 janë kombinuar me kujdes në tre nivele: Edition është versioni i aksesit, Elegance, i orientuar drejt komoditetit dhe GS Line, që siç dihet, në markën gjermane përfaqëson versionet sportive.
Corsa e re në vendin tonë fillon nga 11.000euro dhe mund të porositet duke filluar nga muaji i ardhshëm. Dorëzimet parashikohen brenda dhjetorit të këtij viti. Me siguri mund të këshillojmë një vizitë tek konçesionari zyrtar Opel Noshi në Shqipëri për t’u njohur nga afër me risitë e Opel Corsa-s së re dhe sapo të jetë gati, edhe një test drive, pse jo?