Tesla Model 3
Që Tesla Model 3 është një makinë unike në botë nuk ka më asnje dyshim. Për momentin nuk ekziston në treg asnjë berlinë tjetër mesatare me katër dyer dhe motor elektrik me çmim fillestar 35.000 dollarë dhe pajisje teknologjike të të ardhmes.
E prezantuar në treg prej një viti kjo makinë është kthyer në nje model serie që duhet të prodhohet me ritme shumë të larta plotësuar kërkesat e listës së gjatë të 500.000 klientëve që me zor presin ta shtijnë në dorë. Revista e famshme Motor Trend e ka përkufizuar si “makina më e rëndësishme e shekullit”.
Vrapi drejt prenotimeve është kthyer në një mani në rang global dhe pikërisht kjo gjë ka filluar të shqetësojë shumë prodhuesit e makinave “tradicionale” të cilët për momentin nuk kanë asnjë mundësi konkrete t’i përgjigjen sfidës së Elon Musk. Një “bombë” si Model 3 parashikohet të trondisë tregun aktual dhe të hapë dyert e motorizimit elektrik masiv.
Tesla Model 3 ka një karroceri klasike të llojit “berlinë” në përmasa mesatare, me cilësi premium dhe 100% elektrike.
Elementi themelor dallues i Tesla Model 3 është pikerisht tërheqja elektrike me impakt ambiental zero e aplikuar tek një berlinë mesatare lluksi.
Çmimi baze i Model 3 është rreth 41.000 euro, shifër kjo që i lejon kujtdo të zotërojë një makinë të tillë me katër dyer, pesë vende, 4,7 metra e gjatë, 1,9 metra e gjerë, 1,4 e lartë dhe me autonomi elektrike 345 km! Pajisjet standard të përfshira janë të shumta: feneret full LED, disqe 18″ Aero, kondicionimi automatik dual zonë, ekran me prekje 15″, navigator, Wi-Fi, hapje keyless (pa çelës), telekamer për manovrat mbrapa dhe antifurt. Janë të përfshira edhe tetë telekamerat, radari dhe dymbëdhjetë sensorët me ultravalë që kontrollojnë frenimin automatik të emergjencës.