Peugeot 2008 e re
Vlerësimi në lidhje me makinat është një temë shumë relative dhe thuajse e pafundme, edhe ngaqë detajet për t’u vlerësuar janë të shumta, por kur vjen puna për stil dhe identitet, Peugeot është një markë me të cilën bien dakord thuajse të gjithë. Kjo sepse prodhuesi i “Luanit” ndër dekada ka ditur të propozojë gjithmonë makina me estetikë cilësore dhe origjinale.
Kjo gjë bëhet edhe më e rëndësishme në ditët tona kur makina është gjithnjë e më shumë një mjet nëpërmjet të cilit duam të komunikojmë diçka mbi veten tonë.
Peugeot ndërkohë është duke bërë mirë detyrat e shtëpisë që i takojnë një prodhuesi të niveleve të larta, të ndërgjegjshëm për kohën që jeton. Kështu, midis detajeve të stilit dhe teknologjisë (elektrike) nga njëra anë dhe modës së makinave të larta nga ana tjetër, vjen i rinovuar modeli i hyrjes në segmentin Suv.
Peugeot 2008 e re është saktësisht një B-Suv, që do të thotë me fjalë të tjera që një makinë qyteti (si 208 e re) mund edhe të ketë një variant më të lartë, me më shumë hapësirë dhe me më shumë origjinalitet. Modeli i ri vjen i rinovuar plotësisht karahasuar me gjeneratën paraadhëse. Platforma është e njëjta me atë të “vëllait” 208 por e rishikuar që të ketë disa cm më shumë lartësi nga toka, aq sa mjaftojnë për të frymëzuar drejt aventurave pa shpenzuar një pasuri.
Parë nga përmasat, 2008 e re është e gjatë 430 cm (14 më shumë se modeli paraardhës), të mjaftueshme për të thënë që 2008 nuk është aq e vogël sa mund të mendohet. Akoma më shumë këtu suprizon bagazhi, që ofron plot 430 litra dhe një formë komode për ta mbushur me ngarkesa të ndryshme. Nga ana e design-it 2008 siç e thamë vjen me stil dhe karakter duke marrë tiparet kryesore të sa propozon Peugeot aktualisht. Pamja ballore bazohet në detaje stili të përbashkëta me modelet më të shtrenjta si 508, etj. Fenerët janë në formë sysh prej felini dhe nuk e fshehin teknologjinë e pasur. Dritat ditore janë vertikale poshtë fenerëve në formë fildishi dhe logo me luan është e vendosur në qendër të maskerinos.
Profili është zbulon një karakter muskuloz me linja të gdhendura me parafangot e theksara dhe në zonën e pasme xhami i bagazhit me kënd të pjerrët dhe bashkimi i fenerëve të pasëm me elementin e zi që mban shkrimin Peugeot sipër, është mbyllja e duhur për një aspekt total me personalitet të theksuar.
Nga brenda prodhuesi francez premton më shumë hapësirë (të konfirmuar nga përmasat e rritura) dhe një ambjent të kuruar e me design të ri dhe të veçantë. Peugeot vazhdon të përdorë konfigurimin me “virtual cockpit” që largon kuadrin disi nga timoni, por që ofron një pamje optimale. Ekrani tjetër në qendër të kruskotit ka mundësuar zhdukjen e shumë butonave dhe është një qendër e shkëlqyer komandash për infotainment dhe shumë funksione të tjera të makinës. I padiskutueshëm natyrisht sinkronizimi MirrorLink, Apple CarPlay dhe Android Auto.
Materialet plastike janë të buta për një ndjesi cilësie edhe në prekje dhe mund të kombinohen edhe me sedilje lëkure ose Alkantara.
Peugeot premton edhe ADAS të avancuar për 2008 e re për të qenë sa më të asistuar dhe të sigurtë gjatë guidës. Niveli teknologjik përfshin sinjalizim për ndryshim korsie të pavullnetshëm, ruajtjen e korsisë gjatë ecjes, cruise control aktiv me funksionin Stop&Go, asistencë gjatë parkimit, sinjalizim të mjeteve që zonën e verbër, lexim i tabelave rrugore, e shumë sisteme të tjera.
Edhe për sa i përket motorëve, Peugeot premton motorë ekonomikë dhe performantë ku vendin kryesor në këtë panoramë e zë fakti se gjenerata e re do të ketë risinë e versionit 100% elektrik. Versioni elektrik e-2008 bazohet në një motor me 136 kuaj fuqi dhe në automoni prej 310km. Garancia mbi baterinë është 8vjet ose 160.000 km. Kohët e karikimit janë 5 orë nga karikimi i thjeshtë me prizë dhe zbret në 30 minuta (për 80%të kapacitetit) nëse përdoret një kolonë karikimi e shpejtë me fuqi 100kW.
Motorët me benzinë fillojnë nga njësitë 1.2 turbo Puretech me fuqi 100, 130 e 155 kuaj fuqi ndërsa motorët diesel 1.5 BlueHDi ofron 100 ose 130 kuaj fuqi. Nuk mungon këtu kambio automatike me tetë marsha në alternativë të kambios manuale me gjashtë marsha.
Peugeot 2008 e re do të dalë në treg në fillim të vitit tjetër kështu që do të duhet pak për ta parë nga afër dhe për të bërë një provë në terren.