na ndiq ne

Opel Rally 2019

23/06/2019

Ndërkohë që fokusi mediatik ndërkombëtar është i përqendruar tek modeli i ri Opel Corsa, i cili debuton për herë të parë me motorin elektrik dhe jo me benzinë apo naftë (lexo këtu prezantimin e Opel Corsa të ri) Opel na kujton një aktivitet sa të veçantë edhe domethënës.
Si për të treguar që një markë serioze (gjermane) jeton mes vizionit për të ardhmen dhe të kaluarës së pasur, Opel Rally 2019 është zhvilluar në rrugët piktoreske rreth liqenit të Bodensee eventi tashmë i përvitshëm “Bodensee Klassik 2019”. Ky është një event në të cilin marrin pjesë disa modele historike që kanë bërë epokë më vete secili në periudhën e tij. Disa prej tyre madje kanë qenë edhe pjesë e eksperiencës shqiptare menjëherë pas viteve ’90, kur u lejua pronësia private e automjeteve në Shqipëri.

Mjafton të përmendim këtu modele si Opel Kadett apo Ascona, pa diskutuar këtu Corsa, me një pjesëmarrje edhe pak speciale të një modeli prestigjioz për kohën si Opel Commodore dhe të gjithë ne jemi dëshmitarë të këtyr modeleve. Natyrisht, në këtë garë pjesëmarrja parashikon modele të prodhuara që nga vitet ’70, për të bërë një lidhje logjike me 50 vjetorin e sektorit sportiv Opel Motorsport. 50 vjet gara janë vërtet një pasuri dhe një trashëgimi e rrallë dhe e paçmuar për një markë që ka si orientim prodhimin e makinave që ndër të tjera, të japin edhe kënaqësi në guidë. Aq më shumë, në një periudhë kur tregu është i populluar me makina nga prodhues me përvojë shumë të kufizuar, por që janë shumë të kujdesshëm tëvendosin një tablet në kruskot për t’i bërë makinat e tyre “moderne” dhe “teknologjike”. Ndoshta është rasti këtu të vlerësojmë këtë traditë të gjatë që kanë prodhuesit europianë, e aq më shumë një markë gjermane që këtë vit feston 120 vjetorin e themelimit.


Në Opel Rally 2019 ose më saktë “Bodensee Klassik 2019” nuk mungojnë personalitete të kompanisë, të tv dhe mediave gjermane dhe të botës automobilistike si piloti i njohur i viteve ’80 Jockel Winkelhock. Ky i fundit shprehet i habitur dhe entuziast se sa shumë emocione kanë për të dhuaruar edhe sot këto makina me moshë të madhe por aspak të vjetra: “Është vërtet kurioze se si makina të prodhuara 50 vjet më parë mund të marrin pjesë në një garë e madje ta bëjnë atë edhe emocionante” pohon ai.
Gjithë gara është zhvilluar në tre ditë (etapa) dhe ka përfshirë 530 km rrugë piktoreske të një terriroti frymëzues midis Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës.
Një pjesëmarrje e veçantë në këtë garë ishte Ascona B 400, modeli autentik që ka marrë pjesë në garat rally të vitit 1982, që krahasuar me modelin e vitit 1903 (vetëm e ekspozuar në finish) ngjan një makinë futuriste 😊


Nuk mungonin këtu edhe modele bashkëkohore si Opel Insignia Grand Sport 4×4 (kliko këtu për Opel Insignia Grand Sport 4×4), si për të thënë që 120 vjet eksperiencë dhe 50 vjet motorsport duhen respektuar nga çdo model i markës.
Një aktivitet i tillë është një rast i veçantë dhe i goditur për të kujtuar traditën dhe eksperiencën e madhe të këtij prodhuesi gjerman që na kujton makina sportive të një epoke të kaluar, por kur makinat ishin më reale dhe për dikë edhe emocionuese dhe më të vërteta.