na ndiq ne

Opel Corsa 2019

21/06/2019

Nëse do të donim të bënim pak histori për një model të suksesshëm, nuk do të kishte rrugë më të mirë sesa të flisnim me fakte.

Gjenerata e parë e segmentit B prodhuar nga Opel është pagëzuar Corsa, duke u frymëzuar ky term italian që i referohet garave automobilistike, ka debutuar në vitin 1982.

Që atëherë në botë janë shitur gati 14 milionë njësi, që i bie pak a shumë diçka sikur çdo shqiptar të kishte pesë të tilla …
Mbi këto baza, gjenerata e gjashtë natyrisht është ambicioze dhe përveç trashëgimisë së pesë modeleve të mëparshme, modeli i ri në fazën e projektimit është testuar edhe në kushte ekstreme si në borë, e zhytur në ujë, etj. Cili është rezultati?


E parë nga jashtë, Opel Corsa e re është një makinë moderne me design të kuruar ku spikasin detaje teknologjike si fenerët Led, sinjalet e integruara tek pasqyrat, etj. Pamja e jashtme karakterizohet nga linja të pastra por me karakter. Maskerino është ngushtë dhe e zgjatur dhe evidentohet nga konfigurimi i një konstelacioni me “piklat” e kromuara që stolisin sipërfaqen e zezë. Natyrisht nuk mungon si gjithmonë logo e Opel-it në qendër e shoqëruar nga “mustaqja” e kromuar që zgjatet deri në të dy skajet e maskerinos. Fenerët Led kanë një design origjinal dhe ofrojnë shumë teknologji. Tetë diodat që formojnë çdo fener janë të komandueshme edhe një nga një dhe në rast të një mjeti që vjen përballë natën, fiken pjesërisht duke krijuar një hapësirë “errësire” për të mos e verbuar atë. Poshtë tyre gjendjen dritat kundër mjegullës të vendosura në një strukturë mbajtëse vertikale në kontrast me ngjyrën e parakolpit.

Profili ka linja të thjeshta, por forma të “gdhendura” të cilat nxjerrin në pah karakterin dinamik të modelit të ri, të plotësuar nga design-i me forma gjeometrike i disqeve. Pjesa e pasme është një “vazhdimësi” koherente e që thekson një tendencë sportive siç sugjeron edhe vetë emri i modelit.

Hapësira në bord është rritur, meritë e rritjes së përgjithshme të përmasave të makinës. 406 cm gjatësi (4cm më shumë se modeli paraardhës) dhe 143 cm lartësi (6cm më e ulët se modeli paraardhës) konfirmojnë karakterin dinamik të makinës të mbështetur në një shasi krejtësisht të re. Falë strukturës moderne, pavarësisht se janë rritur përmasat, ka mundësuar uljen e peshës me 40 kg, në avantazh të performancës dhe uljes së konsumit.

Edhe bagazhet kanë më shumë hapësirë pasi kapaciteti i modelit të ri është 309 litra (kundrejt 285 të modelit paraardhës).


Nga brenda Corsa e re të jep pamjen e një modeli të një segmenti sipëror me forma harmonike, asemblime të kujdesshme dhe me teknologji të avancuar për këtë segment. Kuadri është dixhital si prej një segmenti premium me përmasa 10”. Infotainment dominant në qendër të kruskotit është i pasur dhe i komandueshëm nga një ekran me prekje ndërsa leva e kambios ngjason më shumë me një “cloche” avioni.
Objektivi i prodhuesit gjerman për këtë model ishte të ofronte maksimumin e teknologjisë për segmentin B dhe duket se ia ka arritur. Teknologjia është e pasur me sisteme të avancuara si prej një modeli të kushtueshëm si leximi i tabelave rrugore dhe pasqyrimi në kuadër, cruise control aktiv, monitorim i këndit të verbër nga pasqyrat e jashtme e shumë më tepër.


Një detaj themelor që nuk e përmendëm më parë është fakti që Corsa e re debuton së pari me motor elektrik, duke theksuar dhe konfirmuar edhe një herë vizionin pararojë të prodhuesit gjerman. Objektivi i dytë që Opel ka për këtë model është të “demokratizojë” makinat elektrike duke ofruar ndoshta për herë të parë një çmim të arritshëm nga të gjithë. Emri i saktë atëherë është Corsa-e, ku “e” natyrisht simbolizon motorizimin elektrik.
Motori elektrin ofron një fuqi prej 136 kuajsh te furnizuar nga bateri 50 kWh. Me këtë fuqi, Corsa e re përshpejton nga 0 – 100km/h për vetëm 8 sekonda, që është një rezultat edhe më i mirë se një motor 2.0 turbodiesel.


330 kilometra autonomi janë një rezultat gjithashtu i mirë aq më shumë nëse mendojmë se Tiranë – Sarandë është vetëm 270km. koha e karikimit për 80% të baterisë është vetëm 30 minuta, aq sa mund të jetë koha normale e një kafeje shlodhëse në në rrugë që tek ne konsiderohet e gjatë.
Për të gjithë ata që ende nuk janë gati për të këtë hap, Corsa e re do të vijë edhe me motorizimet me benzinë dhe naftë.
Benzina do të përfshijë njësitë 1.200 kubikë me tre cilindra me tre nivele fuqie: 75 kuaj në motorin e thjeshtë dhe 100 ose 130 kuaj për motorin me turbo.
Motori me naftë për momentin është njësia 1.500 kubikë që zhvillon 100 kuaj fuqi. Kambio mund të jetë manuale ose automatike që në rastin e versionit me 130 kuaj është me tetë marsha.