BMW Seria 3 e re vjen tani edhe Touring
Seria 3 e re, e prezantuar para pak kohësh (kliko këtu për prezantimin e modelit të ri të Serisë 3 2019) sipas traditës tashmë vjen edhe në versionin station wagon që në Bavari i thonë Touring. Megjithëse këtu tek ne ky version makinash nuk është shumë i pëlqyer, duke paragjykuar formën dhe kapacitetin e “panevojshëm” për të ngarkuar bagazhe voluminoze, ka pak kohë që modelet “familjare” të markave të ndryshme janë në rritje.
Pavarësisht shijeve tona ama, versionet touring të BMW-së në Europë janë të shitura më shumë sesa versionet sedan dhe kjo ka arsyet e saj, por që po i lemë mënjanë për momentin.
Si është Seria 3 Touring? Duke lënë mënjanë shijet, që janë vërtet relative, kjo Seri 3 Touring na duket vërtet e realizuar mirë. Pavarësisht formës, duket një makinë me linja sportive, dinamike, me profil të rëndësishëm, gati gati edhe më të realizuar sesa versioni sedan, dhe duke konsideruar hapësirën e shtuar, kemi në kompleks një plus të madh për këtë version. Edhe në këtë rast, nuk mungon detaji i bërrylit të Hofmeister-it, që tipikisht shoqëron BMW-të prej dekadash.
Për të konfirmuar punën e mirë të designer-ave, koefiçenti aerodinamik është ulur në 0.27 nga 0.29 e versionit paraardhës.
Nga brenda natyrisht baza është ajo e versionit sedan, por hapësira në bord është shtuar. Kjo gjë evidentohet më mirë nëse e krahasojmë me gjeneratën e mëparshme touring, ku Seria 3 aktuale është gati 8cm më e gjatë. Kjo është në dobi krysisht të pasagjerëve të pasëm.
Hapësira e bagazhit varion nga 500 në 1.500 litra dhe aksesi është praktik si më parë, duke ofruar mundësinë e hapjes së xhamit të derës së bagazhit në raste bagazhesh të vogla.
Nga ana e teknologjisë rigjejmë të njëjtat funksione si në rastin e versionit sedan me infotainment me kuadër dixhital me ekran 12.3” dhe infotainment me funksione të avancuara të komanduara nga ekrani me prekje me përmasa 10.25”. Sistemi operativ i përket gjeneratës 7.0 që merr edhe komanda zanore, ndërlidhje internet, etj etj.
Edhe motorët janë të njëjtët me Serinë 3 Sedan. Njësitë e benzinës fillojnë nga 2.000 kubikë me 184 kuaj fuqi e deri në versionin M340i me 374 kuaj fuqi. Nafta mbetet ende “gjallë” edhe për këtë gjeneratë me fuqi që shkojnë nga 150 kuaj për versionin 318d deri në 265 kuaj të versionit 330d.
Risi këtu do të jetë versioni hibrid plug-in i cili pritet të vijë në fillim të vitit 2020.
Çmimet? Ende për t’u zyrtarizuar por pritet të fillojnë pak më poshtë se 40.000euro.