Lamtumirë goma që shpohen!
Rreth 200 milionë goma dëmtohen në mënyrë të pariparueshme çdo vit, në dëm të sigurisë, xhepave tanë dhe mjedisit dhe nuk llogariten këtu shumë herë më shumë difektet e riparueshme.
Bazuar në këto shifra, besoj jemi të gjithë dakord që gomat që të tradhëtojnë rrugës për shkak të një gozhde apo një grope janë një stress për të gjithë automobilistët. Aq më shumë nëse kjo ndodh kur je nisur për një rrugë të gjatë dhe bagazhi është plot me rraqe, pa përmendur rrezikun e një plasjeje …
Ajo që e bën këtë situatë edhe më të komplikuar është fakti që së fundmi goma rezervë është një specie në zhdukje duke na detyruar të rihapim librin e udhëzimeve për të përdorur pajisjet e “riparimit të emergjencës”. Kjo gjë ndodh tashmë edhe në modele prestigjioze që kushtojnë sa një pasuri …
Prej disa kohësh është duke u punuar në projektimin e një gome që ta evitojë këtë problem duke bërë teste pa fund me goma “mishi” (pa ajër) por që kanë dështuar në drejtim të komoditetit në udhëtim.
Toyota ka qenë në studim të kësaj ideje dhe e ka propozuar atë edhe në një prototip elektrik që e kemi trajtuar disa kohë më parë (lexo këtu mbi Toyota Fine Ride Concept).
Një drejtim tjetër prej nga vjen lajmi i sotëm është prodhuesi francez Michelin. Sipas Michelin, zakoneve të vjetra të ndërrimit të gomës, krikut dhe çelësit “brryl” të dadiçekëve i ka ardhur fundi dhe do të kenë vend së shpejti në një muze.
Kjo mund të ndodhë shumë shpejt, brenda 2024, moment në të cilin gomat e reja pa ajër mund të hidhen në tregun masiv.
Goma e re është pagëzuar me emrin Uptis (nga anglishtja “Unique Punctureproof Tire System” që mund të përkthehet shkurtimisht në “gomë antishpuarje”) dhe premton vërtet shumë. Kjo realizohet nëpërmjet një materiali të përbërë që garanton rezistencë në raste deformimi për shkak të një guri apo edhe bordure kur duam të parkojmë diku. Një tjetër aspekt pozitiv i kësaj shpikjeje është fakti që kjo përbërje premton edhe një rezistencë më të madhe ndaj konsumit duke i bërë gomat edhe më “ekonomike”, por kjo do të varet edhe nga çmimi i shitjes natyrisht.
Aq më interesant është këtu fakti që mënyra e prodhimit përfshin metodën e primtimit 3D, duke braktisur kështu fabrikat tradicionale.
Sa propozohet këtu tingëllon vërtet bukur, aq sa me padurim presim prezantimin zyrtar të këtij projekti. Do ta mbajnë fjalën francezët e Michelin? Është rasti të themi që shpresojmë vërtet kësaj here të jetë e vërtetë.