na ndiq ne

Qooder ose motori me katër rrota

12/06/2019

Për kë jeton në një qytet të madh ku trafiku është një problem real i mobilitetit personal, alternativa e vetme e makinës ka qenë motori. Dy rrota në ekuilibër, marshat dhe frenat që komandohen me këmbë ama janë një lloj eksperiencë  jo për këdo.

Edhe pse scooter-at (automatikë) janë duke u shtuar ndjeshëm edhe në vendin tonë, duke e bërë përdorimin dyrrotakut më të thjeshtë frika nga e rrëzuara mbetet një barrierë e pakapërcyeshme për shumë automobilistë.

Ja përse na u duk interesante një risi që vjen nga Zvicra. Quhet Qooder, nuk është më i gjerë se një motor tradicional dhe ka katër rrota. Prodhuesi zviceran quhet Quadro Vehicles dhe ka disa kohë që prodhon mjete “alternative” transporti.

Qooder (Quad + Scooter) është një mjet interesant që bashkon prakticitetin e një motori me siguri të shtuar. Prodhuesi e krahason me sigurinë e një makine, por kjo na duket realisht e tepruar, pavarësisht se krahasuar me një motor me dy rrota, sidomos në kushte të caktuara si p.sh. shi, kalldrëm, apo në kthesa me shpejtësi, Qooder duket më i sigurtë, pikërisht sepse mbështetet në katër rrota dhe nuk mund të rrëzohet apo të rrëshqasë.

Motori, si në shumicën e scooter-ave është me një cilindër por që ofron një fuqi jo të vogël: 32,5 kuaj. Vëllimi është 400 kubikë dhe transmeton nëpërmjet një kambioje automatike me variator. Konsumi i deklaruar është 5.5 litra/100km, ku ndryshe nga makinat, sa deklarohet është shumë afër konsumit real.

Një tjetër komoditet i këtij modeli është fakti që nuk ka nevojë për kambalec në parkim. Mbi katër rrota Qooder ruan vetë një ekuilibër solid edhe në kushte jo ideale terreni. Në shumë vende europiane madje, Qooder mund të parkojë në hapësirat e dedikuara motocikletave, duke qenë jo më i gjerë se 84cm, gjerësi kjo tipike e një motori.