na ndiq ne

Bentley Flying Spur afër prezantimit

01/06/2019

Për të gjithë ata që presin me padurim prezantimin e modelit të ri të Bentley-t Fying Spur (që në Shqipëri numërohen me gishtat e njërës dorë) duket se pritja po mbaron. Bentley ka publikuar dy foto të modelit të ri dhe një video ku një Flying Spur ende i kamufluar paraqitet në pistë duke kaluar me shpejtësi nga njëra kthesë në tjetrën.

Prezantimi është fiksuar për datën 11 qershor, por prodhuesi anglez ka dashur të ofrojë një “ngacmim” të gjithë klientëve dhe fansave të shumtë të markës.

Pavarësisht se modeli në foto është ende i paplotë, ngjashmëria estetike me modelin sportiv Continental GT është e dukshme (kliko këtu për artikullin e Bentley-t Continental GT).

Bentley është e famshme për makina luksoze me karakter sportiv dhe ka bazuar forcën e saj në vazhdimësinë e traditës nga modeli në model, pavarësisht ndryshimeve dhe rinovimeve të vazhdueshme. Edhe Flying Spur i ri, pavarësisht risive, do të ruajë harmoninë dhe elegancën e modeleve të vjetra, tipar dallues ky i Flying Spur.

Sipas Bentley-t, Flying Spur i ri do të jetë një bashkim ideal midis një limousine ultraluksoze dhe një makine sportive.

Ndër risitë e shumta teknologjike FlyingSpur 2019 do të ketë tërheqje integrale 4×4, të gjitha rrotat aktive në kthesë (me timonin kthehen edhe rrotat e pasme), Bentley Dynamic Ride që redukton batimin në kthesë, etj.

Asnjë detaj ende mbi motorizimet, por mund të imagjinojmë lehtësisht që njësitë e traditës V8 dhe W12 do të vazhdojnë të jenë të disponueshme.

Me siguri mund të presim ndonjë zhvillim të ri në drejtimin elektrik/hibrid, por kjo do të bëhet e njohur shpejt tashmë.