na ndiq ne

BMW Seria 1

28/05/2019

BMW Seria 1 është modeli më i vogël i prodhuesit bavarez i cili ka filluar të prodhohet në vitin 2004 me siglën E87. Modeli ishte inovativ dhe origjinal dhe këtë e konfirmoi edhe një sukses i rëndësishëm i shitjeve. 

Seria 1 ishte modeli që i lejonte aksesin e markës një segmenti të ri të klientelës dhe ruante tiparet e BMW-së, ku një ndër kryesorët ishte tërheqja mbrapa.

Seria 1 ishte modeli më i vogël (i prodhuesve premium) me tërheqje mbrapa, gjë kjo e pazakontë në segmentin C, që me sa duket u braktis në modelin e ri që u prezantua përpara pak ditësh për publikun e gjithë botës.

Seria 1 e re vjen me një gjurmë të re identiteti dhe karakteri, ndoshta pak më agresive dhe moderne, por edhe më pak origjinale.

Pamja ballore është në linjë me BMW-të aktuale, (me ngjashmëri kryesisht me X2), por pikërisht aq shumë e ngjashme saqë mund ta ngatërrosh me ndonjërën prej tyre.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pjesën e pasme dhe profilin, ku Seria 1 e re duket sikur “frymëzohet” nga A Class i konkurrentit “me yll” dhe kjo nuk na duket lëvizja më strategjike. Ok, X6 ka qenë burim frymëzimi për GLE Coupé-në, por nëse do të ishte një ndeshje futbolli, atëherë ky rezultat “frymëzimesh” do të ishte 1 – 1 😊

Pavarësisht kësaj vërejtjeje relative, Seria 1 mbetet një makinë e realizuar mirë, me një design të kuruar në detaje dhe me elemente bashkëkohore.

Nëse e shohim nga ana teknike, Seria 1 e re bazohet në platformën modulare Faar, që është një version i përmirësuar i Ukl2, mbi të cilën është ndërtuar Seria 2 Active Tourer (kliko këtu për prezantimin e BMW Seria 2 Active Tourer).

Nga brenda kemi një hap të bindshëm përpara që merr forcën tek ngjashmëria me modelet sipërore të markës pavarësisht përmasave më të reduktuara. Një pikë tjetër avantazhi qëndron tek fakti që me tërheqjen përpara ofrohet mundësia e optimizimit të hapësirës, pasi nuk ka më kalime diferencialesh tek aksi i pasëm, si tek gjeneratat e mëparshme. BMW seria 1 ofron impostim të ngjashëm me Serinë 3, pavarësisht një organizimi më të mbledhur të kruskotit. Kuadri është dixhital, infotainment në stil tablet në qendër të kruskotit dhe disa komanda, si një gjeneratën F20 gjenden krah levës së marshit, që këtu shpaloset totalisht e re dhe e pa parë në asnjë model tjetër të markës.

Edhe teknolgjia në bord është e pasur duke përfshirë asistentin zanor, të pranishëm në modelet më të kushtueshme.

Motorizimet janë si gjithmonë një pikë e fortë e prodhuesit të helikës. Gjejmë si fillim njësitë e benzinës me 3 cilindra, 1500 kubikë që zhvillon 140 kuaj fuqi të versioni 118i dhe përfshijnë edhe versionin 2.000 kubikë me katër cilindra, që zhvillon 306 kuaj, që ofrohet për versionin integral X-Drive. Përformanca këtu është e lartë me një kohë të rrallë 0-100 prej vetëm 4.8 sekonda. Motorët e naftës fillojnë gjithashtu nga 3 cilindra, 1.500 kubikë me 115  kuaj fuqi. Versioni 2.000 kubikë me naftë ka katër cilindra dhe zhvillon dy nivele fuqish: 150 dhe 190 kuaj.

Kambio automatike është me shtatë marsha dhe mbështetet nga një dopio freksion.

Çmimi fillestar i këtij modeli duhet të jetë rreth 25.000euro, por kjo mbetet ende për konfirmim, pas verifikimeve në sistemin tonë taksor.