na ndiq ne

Kia Habaniro vjen nga e ardhmja?

23/04/2019

Kia Habaniro është një model i ri i prezantuar disa ditë më parë në autosallonin e New York-ut. Siç duket qartë edhe nga fotot, Habaniro është një crossover, i aftë për eksursione jashtë asfaltit dhe elektrik, që të mos ndoti ambjentin. Autonomia e premtuar është 480 km, jo pak për një vend si Shqipëria.

Kia premton se Habaniro ofron edhe ndjesi pozitive në guidë, në rrugë me kthesa ku duhet të shprehë më së miri karakterin e saj.

Deri këtu duket se kemi folur për një mjet normal të ditëve tona, por nëse shohim me vëmendje fotografitë, Kia Habaniro është një makinë shumë e veçantë në design dhe me shumë stil. Pamja e jashtme është gati gati robotike dhe me dyert e hapura duket si një makinë që vjen nga seti i xhirimeve të Transformers. Këto përshtypje përforcohen kur shikon Habaniro-n edhe nga brenda.

Hapësira e brendshme është e gjitha e optimizuar dhe pa komanda. Timoni ngjan me një “cloche” avioni ndërsa komandat janë të “fshehura” dhe të padukshme në sy të lirë. Ato aktivizohen me prekje në panelin sipër timnit. Sediljet janë një mix design-i futuristik dhe i një koncepti të ri “arredimi”.

Habaniro ecën mbi rrota 20” rreth të cilave vërejmë parafangot e evidentuara, që bashkë me dyert e hapura, sikur duan të ngjallin imagjinatën e guidës së një “coupe”-je … Prototipi i prezantuar në NY është 443 cm i gjatë dhe premton hapësirë mjaftueshëm për pasagjerët.

Po teknologjia?  Një sistem i dedikuar kupton gjendjen e shoferit dhe përshtat ndriçimin e brendshëm, ventilimin, temperaturën, muzikën, etj. me fjalë të tjera çdo gjë që shoferi të ndihet sa më mirë dhe të mos e zërë gjumi kur është i lodhur.

E lehtë të mendojmë që guida autonome që do të ketë Habaniro është e nivelit 5, por për këtë do të duhet edhe të imagjinojmë që timoni të “paloset” apo “zhduket” pasi në teori, ky nivel parashikon që makinës t’i komunikojmë thjesht destinacionin dhe mund të na çojë ajo në mënyrë autonome.

Nëse mendoni se jeni gati për të dhënë destinacionin dëshiruar, kujdes, po nxitoheni pak … Habaniro është vetëm në prototip dhe ende nuk është “gati” për treg.