Volkswagen ID: nje suv elektrik për popullin?
Ka disa kohë që qarkullon opinioni se Volkswagen (e përkthyer “makina e popullit”) nuk është më vërtet kaq për popullin, nëse mendojmë që nga ana e çmimeve nuk është tamam low cost.
Në fakt, nëse e mendojmë mirë, “populli” i sotëm ka më shumë pretendime se dikur dhe në fund të fundit, emri nuk mund të jetë dënim që të mos përqafosh evolucionin. Kështu, për të ecur me hapin e kohës, edhe Volkswagen përgatit një Suv 100% elektrik, miqësor me mjedisin, por me gjithë teknologjinë dhe komoditetin e kohës.
Volkswagen ID Roomzz është prototipi që prezanton Suv-in e ri me gjatësi gati 5 metra. Prototipi është prezantuar në autosallonin e Shangai-t ndërsa modeli do të debutojë në treg në vitin 2021, pikërisht në Kinë, njësoj si në rastin e prezantimit të Touareg-ut të ri.
Prototipi i Volkswagen ID sjell dyer të reja që lëvizin në shina ndërsa nga brenda gjejmë tre rradhë sediljesh. Nga brenda Volkswagen ID Roomzz ka një pamje të pastër dhe esenciale me thuajse zero butona. Komandat për funksione të ndryshme, dihet tashmë, janë me prekje dhe komandohen nga ekrani qendror në qendër të kruskotit. Interesante janë simbolet “play” dhe “stop” mbi pedalet e gazit dhe të frenave, një simbolikë e thjeshtë nga bota e videogame, por edhe shumë domethënëse: bota automobilistike po ndryshon në drejtim të relaksimt maksimal, aq sa t’i japësh makinës është njësoj si të shtypësh “play” në një videogame.
Për të treguar që ID është vërtet miqësor me mjedisin, sediljet janë bërë me material të ricikluar AppleSkin ndërsa një sistem i evoluar ajrosjeje ka për funksion të pastrojë ajrin në kabinë.
Nga jashtë Volkswagen ID ruan disi format e traditës Volkswagen, por maskerino me elementë të ndriçuar që lidhen me fenerët Led i shkel syrin klientelës high-tech.
Volkswagen ID Roomzz ecën falë kombinimit të dy motorëve elektrikë, nga një për çdo aks, duke qenë kështu një mjet 4×4. Fuqia totale është 306 kuaj. Makina përshpejton nga 0-100km/h për 6.6 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale 180 km/h.
ID arrin të përshkojë deri në 450km me një karikim të vetëm ndërsa karikimi i baterisë, falë një sistemi të shpejtë arrihet për vetëm 30 minuta për një “rimbushje” deri në 80% të baterisë.
Risia tjetër që do të sjellë Volkswagen ID është standardi i ri i guidës autonome i nivelit 4. Me fjalë të tjera, gjatë udhëtimeve shoferi mund të relaksohet duke i “braktisur” komandat e timonit, gazit dhe frenave.
A do të jetë kjo e mjaftueshme që ne të heqim duart nga timoni në rrugën tonë drejt Dhërmiut apo Himarës?
E kemi pak të vështirë të bindemi për këtë, por Volkswagen me sa duket është gati 😉