Alfa Romeo Tonale
Një trekëndësh i ri në maskerino, fenerë Led, forma dinamike, Tonale është një Alfa Romeo e vërtetë, moderne dhe teknologjike me ritmin e kohës sonë, por me një identitet të forte të bazuar në historinë e markës, si të gjitha Alfat.
Më kot ta fshehim, të themi që Tonale merr shumë nga vëllai i madh Stelvio, i cili ishte edhe Suv-i i parë italian. Përveç raporteve të formave, disa detaje stili dhe karakteri mbeten origjinale të sajat.
Nga ana e përmasave Tonale është Suv-i i parë i segmentit C nga prodhuesi italian, pra më kompakt, kështu që pritet të ketë edhe një sukses të mirë në shitje.
Njësoj si Stelvio dhe Giulia, edhe Tonale është një miks i arritur i linjave të viteve ’60 me elementë modernë të modës dhe teknologjisë aktuale si disqet e aluminit në përmasa 21″, por me frymëzim nga modeli i vjetër sportiv Alfa 33 Stradale.
Risia e vërtetë e Tonale-s ama është diku tjetër. Ajo do të jetë modeli i parë i elektrifikuar i markës Alfa Romeo. Tonale do të jetë një hibride plug-in me motorin elektrik në aksin e pasëm.
Shumë detaje ende nuk njihen, sepse në fakt Tonale është ende një koncept, por nga Alfa Romeo njoftojnë që do të ketë programimet e shasisë për të përzgjedhur guidën më të përshtatshme midis Dynamic, Natural dhe Advance E. Në këtë të fundit Tonale ecën vetëm me korent.
Një detaj shumë interesant është butoni E-mozione (nga italishtja, “emocion”) që bën edhe më aktive reagimin e timonit, gazit dhe të frenave.
Me rastin e modelit të parë elektrik, koka e gjarprit në logon e Alfa Romeos, zëvendësohet me një prizë elektrike. Pak e tepruar për mendimin tonë edhe pse qëllimi i tyre është të deklarojnë hapur orientimin e ri ambjentalist.
Nga brenda Alfa Romeo Tonale, megjithëse larg versionit final ende, shpalos forma fluide me led të pranishëm kudo, por në ngjyra sportive.
Kruskoti është i ndërtuar rreth shoferit duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes. Pasagjerët e Tonale-s janë katër, përfshirë shoferin, sepse mbrapa në vend të divanot gjejmë 2 sedilje të ndara.
Stili italian dallohet edhe në një zgjedhje të kujdesshme të materialeve. Alumin, lëkurë dhe alkantara janë materialet që veshin ambjentin e brendshëm. Për të gjithë ata që janë kuriozë për emrin, ju themi se njësoj si Stelvio, edhe Tonale emrin e merr nga një shteg malor, ku Alfat tregojnë gjithë karakterin e tyre.
Një tjetër kuriozitet është fakti që tre shkronjat e para të Alfa Romeo Tonale formojnë fjalën Art, që sipas teknikëve italianë mishërohet nga një miks bukurie dhe teknologjie. Mendoni dhe ju kështu?
Me siguri Tonale do të pësojë mjaft ndryshime deri në fund të 2020, nese do të jetë ky viti i debutimit, por nga Italia kanë ditur me mjeshtëri të ngjallin kureshtje dhe interes për të gjithë të apasionuarit e markës, madje edhe më gjerë.