Piëch Mark Zero sjell rekordin e karikimit
Emri, ose më saktë mbiemri Piëch, është një sagë e mirënjohur në panoramën automobilistike botërore, por projekti në fjalë nuk ka lidhje me emrin Ferdinand, por me djalin e tij, Toni. Katër vjet më parë, Toni Piëch mori një vendim strategjik, në gjurmët e babait dhe stërgjyshit të tij. Ai vendosi të bëhet prodhues makinash duke themeluar (së bashku me investitorin Rea Stark Rajcic) markën më të re: Piëch Automotive.
Projekti i parë i Piëch quhet Mark Zero, lind si një model 100% elektrik dhe përveç estetikës agresive (dhe të diskutueshme) sjell një rekord të ri. Cili mund të jetë ky për një makinë elektrike? Nëse keni ngarë ndonjëherë një makinë elektrike apo keni menduar ndonjëherë të blini një, mund ta imagjinoni lehtësisht. Ankthi më i madh është autonomia dhe kohët e karikimit. Nëse e para vjen duke u rritur dhe duke iu afruar autonomisë së makinave me djegie të brendshme, koha e karikimit mbetet një gjyle në këmbë e vështirë për t’u pranuar.
Pikërisht këtu Mark Zero vjen me rekordin (e pabesueshëm) të kohës rekord të karikimit prej 4.5 minutash. Nëse Tesla mund të karikojë baterinë për 40 min afërsisht dhe Porsche deklaron se është katër herë më e shpejtë se Tesla, pra 10 minuta, atëherë Piëch Mark Zero, me 4.5 minuta sjell një rekord që mund të zhdukë përgjithmonë industrinë e karburanteve. Të themi të drejtën, përveç nostalgjikëve, shumica prej nesh janë me veshët ngrehur kur dëgjojmë për makina që shkojnë nga 0-100 për 4 apo 5 sekonda dhe që harxhojnë zero litra. Konsumi i korentit i konvertuar mund të krahasohet me 1/9 e konsumit të karburantit të një makine normale.
Si është Mark Zero nga jashtë? E bukur si një Aston Martin mund të themi me pak dashakeqësi, sepse në fakt është akuzuar për mungesë origjinaliteti dhe frymëzim (ose kopje) të tepruar marrë nga një DB9 ose Vanquish. Në fakt nuk mund ta mbrojmë shumë në këtë drejtim, por në fund të fundit, bukuria, edhe pse jo origjinale, mbetet fakt.
Piëch Mark Zero do të ketë një autonomi prej 500 km, motorë gjermanë nga Hofer dhe bateritë do të prodhohen në Kinë. Makina peshon më pak se 1.800 kg. Piëch ka në plan edhe dy modele të tjera përveç dyvendëshes Mark Zero. Njëri nga modelet do të jetë me katër vende ndërsa tjetri do të jetë një Suv, gjithmonë me natyrë sportive.
Megjithëse shpejt për tregun, Mark Zero parashikohet të kushtojë diku rreth 180-200.000euro, por kjo, si dhe shumë detaje të tjera të modelit mbetet për t’u parë.