Skoda Kamiq
Prodhuesi çek pjesë e grupit Volkswagen ka disa kohë që po korr rezultate të mira nga tregu. Kjo pasojë duket se është duke u përforcuar me propozimin në treg të modeleve Suv, të cilat dihet janë ndër më të preferuarit sot në Shqipëri dhe kudo. Për të vijuar në këtë rrugë, Skoda ka menduar mirë të prezantojë një Suv të ri, i cili plotëson gamën aktuale që përfshin modelet Kodiaq dhe Karoq. Modeli i ri quhet Kamiq dhe sipas traditës Skoda merr emrin nga gjuha Inuit, gjuha autoktone e viseve më veriore të planetit. Kamiq në gjuhën Inuit ka kuptimin e diçkaje që përshtatet në çdo rrethanë. Me fjalë të tjera, siç thotë vetë Skoda, Kamiq nuk është gjë tjetër veçse vetë ADN e modelit të ri.
Segmenti ku Kamiq bën pjesë është quajtur ndryshe edhe “Suv qyteti”,një term që flet më shumë për përmasat e Kamiq sesa për karakterin.
Nqs shohim nga pamja e jashtme, Kamiq është një model që mishëron më së miri tiparet më moderne bashkëkohore me fenerët teknologjikë, design tërheqës dhe të përpunuar duke mbetur një makinë konkrete që i shkel syrin klientelës me moton konstante “Thjesht e Zgjuar” (simply Clever).
Kamiq është vepra e parë e designer-it Oliver Stefani, kreu i design-it dhe stilit, i cili me siguri do të na prezantojë më shumë në të ardhmen. Si fillim, këtu konstatojmë një risi tek “sektori i ndriçimit”. Për herë të parë, fenerët e ditës, përveç një forme të veçantë të përbërë nga katër elementë, ata janë vendosur mbi dritat normale që shërbejnë për të ndriçuar. Fenerët e ditës shërbejnë ndër të tjera edhe si sinjale drejtimi dinamikë.
Si në të gjithë modelet Skoda, hapësira në bord nuk mungon. Pasagjerët përpara dhe mbrapa kanë hapësië të mjaftueshme përfshirë bagazhin, me kapacitet 400 litra në kushte normale. Nëse nevojitet më shumë hapësirë, Skoda premton 1.395 litra duke palosur sediljen e pasme.
Design-i i brendshëm është aktual dhe i plotësuar me pajisjet dixhitale bashkëkohore. Kruskoti është dixhital me përmasa 10.25” i cili është një Virtual cockpit që ofron deri në pesë konfigurime grafike: Classic, Basic, Modern, Sport, Extended. Infotainment komandohet nga ekrani Led me prekje i vendosur në qendër të kruskotit me përmasa deri në 9.2”.
Kamiq është e ndërtuar në shasinë MQB e cila është e kolauduar në një mori modelesh të grupit gjerman. Përmasat flasin për Lunga 4,24 metra gjatësi, 1,79 metra gjerësi dhe 1,53m lartësi. Kamiq është 3.7cm më e lartë nga toka sesa modeli Scala.
Tërheqja është në aksin e parë.Motorët e parashikuar janë benzinë, diesel dhe gaz metan, jo i pranishëm në vendin tonë.
Benzina fillon me njësinë e njohur Volkswagen 1.000 kubikë TSI me 3 cilindra dhe fuqi 115 kuaj. Versioni 1.500 kubikë ofron 150 kuaj fuqi ndërsa nafta bazohet në njësinë 1.600 kubikë me 115 kuaj fuqi. Kambio mund të jetë manuale me gjashtë marsha ose automatike DSG.
Teknologjia nuk mungon me sisteme të rëndësishme ADAS që i vijnë në ndihmë shoferit në drejtim të komoditetit dhe sigurisë. Shasia është sportivedhe lejon gradime +/- 10mm në lartësi. Kjo kombinohet me përzgjedhjen e programeve të guidës Normal, Sport, Eco dhe Individual ose e personalizueshme. Kamiq do të ketë edhe sisteme të tjera si Front assist (frenim emergjence që dallon kalimtarët) Lane assist (ruajtja e korsisë) Driver alert (në rast lodhjeje të shoferit), Cruise control aktiv me funksion Stop&Go, etj.
Do të duhet të presim edhe pak për çmimin, por presim që si gjithmonë, kjo të jetë një pikë e fortë si në të gjitha Skoda-t.