na ndiq ne

Cupra Formentor

28/02/2019

 Cupra është ndoshta marka më e re sportive në panoramën automobilistike. Në vetvete nuk është gjë tjetër përveçse një akti autonomie nga marka Seat, (lexo këtu artikullin) duke qenë që misioni i Cupra-s është ambicioz: të ofrojë makina sportive për të gjithë xhepat. Në fund të fundit, askujt nuk i vjen keq të kursejë.

Pas projektit Ateca , me rastin e ditëlindjes së parë të markës, duket se është rradha për një model totalisht të ri që nuk lidhet me asnjë model të markës mëmë Seat.

Quhet Formentor, do të prezantohet në sallonin e autos në Gjenevë dhe i shkel vërtet syrin edhe klientelës më kërkuese. Formentor është së pari një Suv i realizuar në formë. Ai paraqitet si një Suv dinamik, me muskuj dhe i përpunuar në detaje. Nuk mungojnë edhe elementë teknologjikë si fenerët led, disqet bujarë në përmasa dhe pincat e frenave ngjyrë të artë që dallohen edhe së largmi. Profili është ndoshta pjesa më muskuloze ku theksi bie kryesisht në parafangot e dukshme. Pjesa e pasme është e përpunuar në lartësinë e pjesës tjetër ku Formentor shprehndoshta më mirë se kudo karakterin sportiv me katër daljet e marmitave dhe strukturën në fibër karboni që është vazhdimësi e veshjes së poshtme me kanalizimet aerodinamike si të një makine sportive ekstreme.

Nga brenda gjejmë një ambjent modern, bashkëkohor por më pak sportiv në kuptimin e mirë të fjalës. Me këtë nënkuptojmë hapësirë të mjaftueshme si fillim si dhe shumë detaje prej një makine që do të ofrojë kushte të mira dhe pajisje tshumta për jetën në bord. Sediljet ruajnë formën mbështjellëse për të qenë më të qëndrueshëm në kthesa, por pjesa tjetër është e orientuar ndaj komoditetit. Infotainment bazohet në ekranin led me prekje me përmasa 10” të vendosur në qendër të kruskotit, në stil tablet, siç e do “moda” aktuale.

Motorizimi është hibrid i llojit plug-in me mundësi karikimi edhe nga rrjeti. Fuqia totale është 245 kuaj. Në ecjen me bateri, Formentor ofron autonominë 50 km, normalisht të mjaftueshme për lëvizjet ditore të shumicës prej nesh. Mbi njësinë me karburant nuk kemi ende shumë detaje, por me siguri Cupra do të mbështetet në motorizimin me benzinë dhe në kambion automatike DSG. Një funksion i rëndësishëm këtu është kontrolli elektronik i shasisë që mundëson gradimin e amortizatorëve (dhe të timonit) sipas terrenit që po përshkohet dhe llojit të guidës së përzgjedhur. Ende nuk kemi detaje mbi gradimin specifik për ecjen jashtë asfaltit, por le të kujtojmë që Formentor nuk lind për gjolin apo borën ekstreme, edhe pse me siguri nuk i trembet atyre.