Renault Clio e re
Renault Clio është padyshim një bestseller në panoramën e makinave kompakte të segmentit B. Këto makina shpesh quhen makina qyteti, por në fakt kanë një potencial shumë më të madh. Nuk është çudi të ndeshni ndonjë nëse shkoni për ski në Kolashin ose Mavrovë sepse distanca nuk është shumë e gjatë dhe me goma dimri arrijnë të përballojnë më së miri edhe deborën e këtyre viseve.
Modeli i ri i Renault Clio, vjen tashmë në gjeneratën e tij të pestë. Prodhuesi francez ka zgjedhur ta prezantojë atë më sallonin e autos në Gjenevë, që do të zhvillohet në periudhën 7 – 17 Mars.
Modeli i ri ka një pamje më moderne dhe aktuale. Merita kryesore këtu është e një design-i të jashtëm të kuruar. Detaje si fenerët me elementin dallues të “dhëmbit të fildishtë” tëelefantit e afrojnë atë me modelet e tjera të familjes Megane dhe Talisman. Teknologjikisht, fenerët do të jenë Led për të gjitha versionet, pra Clio e re është edhe me më shumë opsione të përfshira.
Kofano e motorit është e përpunuar, parafangot e fryra i japin një pamje më muskuloze dhe gojëzat e ajrit poshtë pasyrave anësore na kujtojnë Clio-n që merrte pjesë në garat sportive. Linja anësore vjen duke ngushtuar sipërfaqen e xhamit të derës së pasme. Redukton pak në këtë formë dritën në kabinë, por jep një look më agresiv në profil.
Nga ana e përmasave Clio e re premton shumë me 405 cm gjatësi, 180 cm gjerësi dhe 144cm lartësi. Bagazhi përfiton ndjeshëm nga këto përmasa, duke arritur një shifër më se optimale për kategorinë, plot 390 litra në kushte normale.
Nga brenda gjejmë edhe më shumë rinovime sesa nga jashtë. Design-i është më modern, cilësia e ,aterialeve është përmirësuar dhe teknologjia duket më e pranishme me ekranin e infotainment dominant në qendër të kruskotit.
Versioni më luksoz, si në çdo Renault do të jetë Initiale Paris ndërsa ai sportiv do të mbajë siglën RS Line. Nuk dijmë shumë ende për motorët, por Renault premton edhe një version hibrid i cili ështëpagëzuar E-Tech.
Paz prezantimit zyrtar do të dijmë më shumë për Clio-n e re. Deri atëherë ju lëmë në shoqërinë e imazheve në fotogaleri.