na ndiq ne

Bosch shpik sistemin që ndalon ecjen në krah të kundërt

06/02/2019

Ecja në krah të kundërt, edhe “vetëm për pak”, është një gaim i pafalshëm që ne shqiptarët e bëjmë shpesh. Jo vetëm në momente të caktuara në qytet, në rrugë me një kalim, por edhe në autostradë, kur përtojmë të ndjekim rrugët që na mundësojnë trajektoren. Gabimi që bëhet në këtë rast përfshin disa këndvështrime: natyrën ligjore, e cila njeh vetëm zbatim të tabelës dhe jo interpretim; normat e sigurisë, që janë arsyeja e ekzistencës së tabelave si pjesë e kodit rrugor dhe në fund edhe pak injorancë, pasi në vetvete një sjellje e tillë është e rrezikshmërisë së lartë jo vetëm për veten tonë, por edhe për makinat e tjera. Me shumë keqardhje renditëm edhe arsyen e tretë më parë, por në vendin tonë kjo shkelje është në shumicën e rasteve e vullnetshme dhe nuk dijmë si ta kuptojmë ndryshe një nënvlerësim kaq të rrezikshëm.

Një gabim i tillë ama, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, ndodh edhe jashtë vendit tonë. Në Gjermani psh. çdo vit verifikohen rreth 2.000 shkelje të tilla, të cilat shpesh janë shkak i aksidenteve fatale, sepse shoferi që kryen këtë shkelje e kupton me vonesë gabimin që ka bërë. Ndërkohë makinat që vijnë në kahun e kundërt janë me shpejtësi të lartë.

Është pikërisht kjo arsyeja që kolosi gjerman Bosch, ka shpikur sistemin “wrong-way driver warning” (lajmërim të drejtimit të gabuar) me qëllim uljen deri në zero të këtij gabimi.

Sistemi parashikon të diktojë kur makina merr një kah të gabuar dhe njofton jo vetëm shoferin që po gabon por edhe makinat e tjera në afërsi brenda 10 sekondave.

Le të shohim se si funksionon konkretisht ky sistem. Sapo një makinë i afrohet një hyrjeje ose daljeje të autostradës, sistemi “wrong-way driver warning” transmeton në cloud-in e Bosch informacionin mbi ecjen e makinës. Atje bëhet menjëherë krahasimi i drejtimit të ecjes së makinës në fjalë me drejtimin e lejuar dhe nëse këto të dhëna nuk përputhen, sistemi njofton menjëherë shoferin që po gabon. Sistemi njofton njëkohësisht edhe të gjitha makinat e tjera që ndodhen në afërsi dhe mund të jenë në rrezik. Sapo makina ndërron kah, sinjali i njoftimit fiket. Në Gjermani ky sistem është edhe pjesë e app-it Antenne Bayern.

Një sistem i tillë mund të duket fantashkencë për rrugët tona, kur deri dje Google nuk na përfshinte në hartat e Europës. Ai që shkruan, kujton se përpara një viti kemi humbur rreth 30 minuta për të përshkuar një distancë rreth 600 metra duke ndjekur udhëzimet e navigatorit në qytetin e Elbasanit. Kjo për shkak të një orientimi gjithmonë në gabuar nga navigatori që na çonte ose në rrugë me drejtim të ndaluar ose në rrugë që ishin ndërprerë për shkak të një ndërtimi.

Pavarësisht kësaj ndodhie, që ishte një test i bërë enkas, do të ishte mirë që ne të adoptonim sa më shpejt teknologjitë bashkëkohore, pasi ato vetëm e përmirësojnë jetën dhe sigurinë e automobilistëve që kanë akses dhe mundësi përdorimi.

Ndërkohë, do të kishim edhe një përfitim të dytë nëse i mendojmë gjërat sipas një perspetive afatgjatë. Kjo ka lidhje me edukimin e brezave të rinj. Me fjalë të tjera nuk ka në vetvete asnjë arsye përse një i ri shqiptar të mos ketë akses në të tilla programe më se të dobishme, të cilat një i ri gjerman mund t’i ketë.

Nëse do të mendojmë që gjërat që ekzistojnë në Gjermani janë vetëm për gjermanët, ose nuk bëjnë për ne, nuk do të bëjmë kurrë përpara dhe kjo nuk ka përse të ndodhë.