na ndiq ne

Hyundai Palisade

03/12/2018

Prodhuesi amerikan ka disa kohë që nuk i fsheh qëllimet e tij ambicioze. Në fakt ka disa kohë që Hyundai po ripropozon modelet e tij duke e zgjeruar gamën. Sektori më aktiv është edhe ai më i kërkuari në treg, që besoj të gjithë e kemi tashmë të qartë është ai i makinave Suv. Pas modeleve tradicionale Tucson dhe Santa Fe, Hyundai sjell një model që vendoset mbi të gjithë të tjerët për nga përmasat, hapësira, fuqia dhe çmimi.

Modeli i ri quhet Hyundai Palisade dhe është i gjatë 4.98 metra. Palisade është një Suv me karakter të dallueshëm, pasi design është i kuruar dhe me detaje teknologjike si maskerino gjigande e kromuar apo parafangot e mëdha që dëshmojnë për rëndësinë e kësaj makine. Fenerët e përparmë mbeten të veçantë me ndarjen e tyre në dy nivele: fenerët e sipërm kanë dritat ditore ndërsa ata poshtë përfshijnë dritat e shkurtra dhe të gjata.

Hyundai Palisade ka një motor të raportuar me përmasat. Njësia me benzinë V6 3.800 kubikë zhvillon 295 kuaj fuqi dhe premton konsume jo të ekzagjeruara.

Ky Suv është padyshim i orientuar drejt klientelës familjare pasi ofron dy konfigurime me shatë dhe tetë vende, një shifër e pazakontë kjo e fundit, që zëvendëson gati – gati edhe një furgon pasagjerësh.

Në Europë në fakt ky Suv ngjan vërtet gjigand, por në tregun amerikan pritet të jetë i suksesshëm duke llogaritur që modele si Ford Explorer, Honda Pilot, apo Toyota Highlander dhe Nissan Pathfinder kanë një kuotë të qëndrueshme në këtë kontinent.

Hyundai Palisade ka një nga armët e saj më të mira hapësirën në bord. Për të dhënë një ide për këtë, mjafton të mendoni që hapësira për pasagjerët e rradhës së dytë (ata që ulen pas shoferit) shkon deri në 108 cm. Distanca ndërmjet dy akseve (2.9 metra) ka mundësuar një optimizim të hapësirave përfshirë edhe bagazhin, që shkon deri në 1.302 litra me dy rradhë sediljesh.

Brenda Palisade ofron mjaft për pasagjerët. 16 është numri i mbajtëseve për gota apo shishe të vogla (nga dy për çdo pasagjer) dhe shtatë priza USB na duken mjaft për të karikuar celularin. Impianti audio ofron mundësinë e uljes së zërit për pasagjerët mbrapa kur ata janë në qetësi gjatë një udhëtimi ndërsa kondicioneri ofron edhe dalje në tavan për pasagjerët e pasëm.

Kruskoti dhe kuadri ofrojnë design harmonik dhe teknologjik njëkohësisht. Kuadri ofron një “virtual cockpit” për versionet më të shtrenjta, i cili ngjason me atë të ndonjë marke premium ndërsa në qendër të kruskotit gjendet një ekran me prekje që është edhe qendra e komandës për funksionet infotainment.

Një detaj që i rrit prestigjin është edhe mungesa e levës së marshave e cila i ka lënë vendin butonave.

Hyundai Palisade do të jetë e gatshme për tregun (amerikan) në pranverën e vitit që vjen me çmime që ende duhet të publikohen.