na ndiq ne

Mazda 3 e re

30/11/2018

Në vijim të prezantimit të stilit të ri Kai (lexo këtu prezantimin e design-it të ri), Mazda vazhdon këtë vit rinovimin e modeleve të saj. Një ndër modelet më të rëndësishëm për prodhuesin japonez mbetet përfaqësuesja e segmentit C, ku Mazda merr numrin 3. Ky model prodhohet në dy versione karrocerie: një hatchback klasik me pesë dyer dhe një sedan (me bisht jo shumë të gjatë) me katër dyer.

Modeli i ri, megjithëse ngjan më i madh se modeli i vjetër, në fakt është 1 cm më i shkurtër, por design-i i ri është edhe më emocional dhe disi më sportiv se gjenerata paraardhëse. Ky design është i pasur në detaje si fenerët e hollë, spoiler në pjesën e pasme, profil prej Coupé-je dhe një maskerino dominante që i japin një personalitet edhe më të fortë. 

 

Platforma e Mazdës 3 të re është më solide se ajo e modelit paraardhës dhe mund të zgjidhet midis versionit me tërheqje përpara ose integrale 4×4. Disa detaje kanë funksionin që ta bëjnë këtë veturë “të qepur” pas vetes, me levën e marshit më të ngritur dhe më afër me timonin, për të thjeshtuar lëvizjet e dorës në guidë si dhe timoni ofron regjistër në lartësi dhe thellësi. Me fjalë të tjera, një atmosferë sportive ndihet edhe brenda në kabinë.

Nga anët e tjera, ambejnti i brendshëm është ndërtuar në stil minimalist. Elementi dallues është pjesa e kruskotit e veshur në të njëjtën copë të sediljeve për më shumë ngrohtësi. Ekrani 8.8” është qendror dhe përmban informacionet e sistemit infotainment.

Motorët e Mazdës 3 janë Skyactive-G, në rastin që punojnë me benzinë dhe kanë vëllim 1.500, 2.000 dhe 2.500 kubikë. Motorët diesel kanë siglën Skyactiv-D dhe lançohen në versionin 1.800 kubikë.

Me këtë model, Mazda prezanton edhe gjeneratën e re me benzinë pa kandele (lexo këtu për shpikjen e motorëve pa kandele). Sigla në këtë rast është Skyactiv-X dhe përdor një teknologji novatore që mundëson kursim karburanti deri në 30%, falë edhe kontributit të teknologjisë ndihmuese mild-hybri.

Teknologjia e sistemeve në ndihmë të shoferit përfshin sistemin Cruising & Traffic Support që kontrollon timonin, frenën dhe gazin, për të mundësuar ndjekjen e automjeteve përpara nesh në mënyrë automatike. Driver Monitoring System monitoron nivelin e lodhjes dhe përqendrimit tëshoferit dhe e sinjalizon atë nëse vëren që shoferi po përgjumet.

Fuqia e motorëve dhe çmimet e lançimit për tregun shqiptar ende nuk janë bërë publike.