BMW Seria 3 2019
BMW ka rinovuar ndoshta modelin e saj më të rëndësishëm (përpara se të lindnin SUV-vët) Serinë 3, e cila do të vijë në tregjet europiane në panverën e vitit që vjen.
Seria 3 është një ndër modelet më të suksesshëm bavarezë, duke patur parasysh historinë e tij të gjatë dhe pozicionimin perfekt në treg. Modeli i parë me numrin “3” është prodhuar në vitin 1975 dhe çdo model ka ditur të ofrojë një shije origjinale për të gjithë të apasionuarit e markës.
Modeli i ri duket se është rritur në përmasa, për të ofruar më në fund pak hapësirë më shumë në bordin e një BMW-je me “3”.
Modeli i ri është gati 8cm më i gjatë se modeli paraardhës, me një gjatësi totale prej 4,7metrash. Është rritur edhe distanca ndërmjet dy akseve me 4 cm, në dobi të hapësirës në bord.
Rritja e përmasave ka efektin e saj jo vetëm në madhësinë e makinës por ndikon ndjeshëm edhe në formën e saj. E gjithë zona e turirit të makinës është më e gjatë duke i dhënë rëndësi zonës së përparme. Kofano e motorit është e mprehtë në zonën e përparme, në dobi të aerodinamikës. Bashkimi i kofanos me fenerët e rinj dhe dopio veshkën tradicionale të BMW-së është harmonik dhe ofron një pamje agresive, të theksuar edhe nga katër vijëzimet mbi të.
Në përgjithësi fryma është e njëjtë me modelet e fundit bavareze, por kjo Seri 3 sjell një design të ri. Në pjesën e profilit bien në sy format e gdhendura dhe muskuloze që “mbushin” pamjen. Në zonën e pasme dallohet një spoiler aerodinamik dhe fenerët Led të design-uar horizontalisht. Fenerët e parë mund të zgjidhen midis Led apo BMW Laserlight.
Nga brenda modeli vjen i rinovuar dhe i ngjashëm me modelet e tjera BMW aktuale. Ambjenti është modern dhe teknologjik. Kuadri është 100% dixhital me Virtual Cockpit që kryen të gjitha funksionet.
Në qendër të kruskotit gjejmë një ekran me prekje që mbulon funksionet e infotainment. Blloku i komandave është një risi e realizuar mirë, më e ngritur në lartësi dhe me një look esencial dhe të pangarkuar. Disa komanda vazhdojnë edhe në pjesën horizontale ku gjejmë një rrotullame me përmasa të bollshme e cila kryen funksionin e kambios automatike me tetë marsha. Ende këtu BMW ofron edhe kambion manuale, e cila në fakt do të jetë e disponueshme vetëm për modelet me motorizim me fuqi të ulët në versonet bazë.
Bagazhi ofron një hapësirë prej 480 litrash.
Seria 3 e re synon të jetë një model teknologjik edhe për sa i përket sistemeve që ofrohen në ndihmë të shoferit. Psh. sistemi i frenimit të emergjencës city braking dallon kalimtarët dhe çiklistët dhe frenon në rast rreziku. Driving assistant professional skanon rrugën nëpërmjet një kamere të vendosur në pjesën ballore e cila kombinon të dhënat me radarin që monitoron gjithashtu çfarë ndodh pjesën e përparme të makinës.
Si çdo Seri 3, teknikët nga Mynihu premtojnë që ka një karakter dinamik të theksuar duke privilegjuar ndjesinë që kjo BMW transmeton në timon gjatë guidës. Optimizimi i tipareve dhe sjelljes së makinës në rrugë është arritur nëpërmjet bariqendrës së ulët të makinës shpërndarjes së peshave në raportin ideal 50:50 mbi dy akset. Amortizatorët janë të tipit MacPherson dhe janë realizuar në materiale me peshë të ulët specifike, për të ruajur një peshë totale sa më të vogël. Pavarësisht se përmasat janë rritur, pesha e serisë 3 të re është 55 kg më e lehtë se modeli paraardhës. Amortizatorë të tjerë do të ofrohen për ata që janë më kërkues, të cilët mund të porosisin versionet M Sport dhe Adaptive M.
Lançimi i Serisë 3 të re do të fillojë në mars të vitit dhe do të përfshijë versionet Advantage, Sport line, Luxury line dhe M Sport. Motorët e disponueshëm në momentin e lançimit do të jenë 320i, 2.000 kubikë me benzinë, katër cilindra dhe 184 kuaj fuqi, 330i, 2.000 kubikë me benzinë edhe kjo, por me fuqi që arrin në 258 kuaj. Motorët Diesel bazhdojnë të ekzistojnë për BMW. Versioni bazë 318d, me katër cilindra ka vëllim 2.000 kubikë dhe zhvillon 150 kuaj fuqi. Modeli 320d ofron 190 kuaj fuqi dhe mund tëporositet edhe në versionin Xdrive, me tërheqje 4×4. Versioni 330d bazohet në motorin 3.000 kubikë me 6 cilindra i cili zhvillon 265 kuaj fuqi. Ndërkohë këtu do të gjejë vend edhe versioni M340i xDrive me gjashtë cilindra dhe 374 kuaj fuqi.
Vitin që vjen, pritet edhe versioni Hibrid plug-in me autonomi mbi 60 km nëse përdoret vetëm motori elektrik.