na ndiq ne

Audi A8 e re

08/10/2018

Audi A8 e re është prezantuar disa kohë më parë dhe tashmë është e pranishme në konçesionarët e mbarë botës, përfshirë edhe konçesionarin shqiptar Porsche Albania. Modeli i ri, në gjeneratën e tij të katërt, sjell shumë risi nga ana teknologjike, duke vendosur një primat ende të paarritur nga asnjë prodhues tjetër: atë të guidës autonome të nivelit të tretë.

Në fakt Audi e ka tashmë për traditë të shënojë primate me A8, duke filluar që nga gjeneza. Audi A8 e vitit 1994, e cila mbante siglën D2, është makina e parë e kategorisë së saj, e ndërtuar në një shasi alumini. Kësaj iu shtua edhe një risi tjetër në këtë segment që konkurrenca e konsideroi kohë më vonë: tërheqja 4×4 zgjeroi filozofinë Quattro në një nivel të pamenduar më parë duke krijuar një makinë të madhe dhe luksoze por në të njëjtën kohë me ADN performante. Ky detaj, ka mbetur pjesë e propozimit Audi në të gjitha A8, të cilat janë makina që pavarësisht përmasave vlerësojnë kënaqësinë e guidës duke “ruajtur” timonin për vete dhe jo për shoferin (atë të punësuar).

Audi A8, duke qenë edhe modeli më ambicioz në Ingolstad, ka në misionin e tij funksionin kryesor të jetë përfaqësuesi shembullor në nivel imazhi. Kështu, kjo A8, sjell evolucionin stilistik që më tej ka “veshur” të gjitha modelet që e kanë pasuar.

A8 e re është 3.5 cm më e gjatë se modeli paraardhës, me një gjatësi totale prej 5.17 m. Ka një pamje të rëndësishme dhe agresive, me maskerinon tipike “single frame” e cila këtu ka një design modern që shënon një drejtim të ri stilistik të prodhuesit gjerman. Fenerët përpara, integrojnë teknologjinë Laser ndërsa grupet e ndriçimit mbrapa bazohen në teknologjinë Oled që të bashkuar me një vijë të hollë Led përforcojnë kështu identitetin teknologjik. Parafangot evidente, përveç theksimit të përmasave gjigande të disqeve, rikujtojnë modelet e traditës Quattro. Audi A8 është ndërtuar në shasinë Audi Space Frame, e realizuar në alumin, magnez dhe karbon, duke rritur ngurtësinë e strukturës në 25%, gjë që ndikon në uljen e vibrimeve që mund të transmetohen në kabinë gjatë ecjes.

Nga brenda, A8 e re shënon një evolucion edhe më rrënjësor krahasuar me paraardhësen. Zhduken thuajse të gjithë butonat fizikë, ekranet Led marrin në dorë kontrollin e çdo komande dhe design-i i përgjithshëm i ambjentit të brendshëm është i nivelit sipëror. Timoni me katër rreze është një risi absolute me pamje robotike, i denjë për nivelin teknologjik që kjo makinë mbart.

Efekti që A8 ngjall është një ndjesi e re, një mënyrë e re e interpretimit të luksit ku vendin e parë e zë design-i i rafinuar dhe cilësia e materialeve të cilët janë sipërorë në sy dhe në prekje. Hapësira përreth shoferit është e kompletuar me një nivel teknologjie të pandeshur më parë. Kuadri është 100% dixhital dhe integron teknologjinë Audi Virtual Cockpit, e përditësuar nga ana teknologjike, ndërsa në të djathtë gjenden dy ekranë që mundësojnë komandimin e çdo elementi të makinës. Ekrani në qendër të kruskotit është 10.1” dhe kontrollin sistemin infotainment, ndërsa pak më poshtë gjejmë një ekran të dytë, pak më të vogël, 8.6” që mundëson komandat e tjera të makinës. Këta ekranë kanë vetinë të reagojnë ndaj prekjes, për të qenë të sigurt se komanda është transmetuar.

Paketa Audi Connect, nëpërmjet ndërlidhjes 4G, mundëson komunikimin “Car-To-X” ku A8 komunikon me makinat e tjera dhe me infrastukturën e jashtme, element ky themelor i guidës autonome. 

AI ose inteligjenca artificiale që A8 e re ofron është vërtet një hap përpara për sa i përket guidës autonome. Sistemet që ofrojnë një eksperiencë të re nëpërmjet My Audi App janë AI Parking Pilot, që mundëson parkimin e makinës nëpërmjet celularit, AI Garage Pilot mundëson në të njëjtën formë parkimin e  makinës në garazhin e shtëpisë dhe AI Traffic Jam Pilot, që në kushte të caktuara kryesisht autostrade, zëvendëson thuajse 100% shoferin. Këto sisteme mund të pasurohen me të tjera dhe Audi garanton që përditësimet që do të ofrohen më vonë, do të jenë të disponueshme edhe për modelet që do të jenë dorëzuar tek klientët.

Tjetër risi teknologjike është sistemi elektrik 48 volt, i nevojshëm për të menaxhuar funksionet e shumta të makinës, përfshirë edhe sistemin e ri AI Active Suspension dhe Adaptive Driving Assistant (ADA), që është një evolucion i sistemit Cruise Control aktiv, që punon nga 0 në 250 km/h. Në bashkëpunim me sistemet e ruajtjes së korsisë dhe të monitorimit të trafikut, makina është në gjendje të reagojë jo vetëm në akselerim apo frenim, por edhe në ndërrim korsie. Me fjalë të tjera, 41 sistemet teknologjike që ofron Audi A8 e re, do të keni një listë të gjatë opsionesh dhe funksionesh për të eksploruar.

Nga ana e ecjes në rrugë Audi A8 e re debuton përveç tërheqjes integrale 4×4 Quattro, edhe me rrotat e pasme aktive, që lëvizin në kombinim me të parat sipas levizjeve të timonit.

Njësitë motorike që do të ofrohen me këtë model janë të një gjenerate të re gjithashtu. Së pari, e gjithë oferta e Audit A8 të re do të jetë e elektrifikuar me njësitë “mild hybrid”. Njësitë e para do të bazohen në motorët V6 me benzinë dhe naftë që ofrojnë respektivisht 340 kuaj fuqi për 3.0 TFSI dhe 286 kuaj fuqi për 3.0 TDI. Njësi të tjera do t’i shtohen më tej gamës ku vëmendja nuk mund të mos bjerë tek njësia muskuloze W12, 6.000 kubikë që zhvillon fuqinë 590 kuaj fuqi.

Së shpejti do të ofrohen edhe versionet A8L e-tron quattro që përfshijnë teknologjinë plug-in hybrid. Ky model do të bazohet në njësinë 3.0 TFSI që së bashku me bateritë me lithium do të ofrojnë 450 kuaj fuqi. Autonomia e motorit elektrik do të jetë 50km duke shfrytëzuar për karikim sistemin Audi Wireless Charging me fuqi 3.6 kW. A8 E-tron quattro ka një sprint 0-100 për vetëm 4,9 sekonda dhe në ecjen me motorin elektrik  arrin shpejtësinë 135 km/h.

Kambio është për të gjitha versionet është automatike Tiptronic me tetë marsha e gjeneratës së re, e cila ka një sërë optimizimesh për të përmirësuar komoditetin në kabinë.

Audi Connect Key është një gjetje “smart” që mundëson hapjen e makinës nëpërmjet celularit. Ky sistem mundëson përdorimin e deri në pesë përdoruesve dhe 35 profileve që përfshijnë personalizime të klimatizatorit, sediljes, pasqyrave, muzikës apo kanalit të radios të preferuar, etj.

A8 e re është e disponueshme në Shqipëri duke filluar nga 76.000eur, por si në çdo makinë luksoze, çmimi fillestar nuk është një e dhënë shumë orientuese. Kjo sepse klienti tipik i kësaj makine, nuk ka shqetësime mbi çmimin e makinës sesa ka për opsionet e kërkuara dhe për personalizimet. Në këtë rast, Audi është e gatshme të përballojë çdo klient tekanjoz, ndërkohë që çmimi mund të shkojë rehat edhe përtej dyfishit të çmimit të nisjes.