na ndiq ne

Audi SQ2

29/09/2018

Audi shton një model të ri në siglën “S”, që është ajo që dallon versionet sportive të modeleve të saj. Në këtë rast, modeli që pasurohet me një version sportiv është Q2, një Suv i vogël, që dikush e quan edhe Suv për qytet, por që në fakt është më shumë i vogël në përmasa sesa në potencial.

Për të dëshmuar më mirë këtë, versioni SQ2 është prova më e mirë. 300 kuaj fuqi janë një premtim prej sportiveje të vërtetë dhe në fakt koha 0-100km/h është vetëm 4.8 sekonda.
Modeli do të prezantohet në autosallonin e Parisit, që do të zhvillohet në datat 04 – 14 tetor dhe këtë vit feston 120 vjetorin.
SQ2 do të jetë përveç se sportiv, edhe i pasuruar dhe i personalizueshëm me detaje ekskluzive, si psh. maskerino me 8 ndarje vertikale dhe një kit i veçantë estetik.
Modeli ka edhe disa përmirësime aerodinamike që ulin koefiçentin aerodinamik Cx në vlerën 0,34. Në pjesën e pasme katër dalje të marmitave janë një detaj sportiv që në rastin e Audit përputhen edhe me katër unazat e logos. Pamja sportive pasurohet edhe me disqet e aluminit me përmasa 18″ dhe goma 235/45 si pajisje bazë. Me porosi mund të zgjidhen edhe disqe 19”.
Motori është një njësi 2.0 TFSI që garanton 300 kuaj fuqi në regjimin 6.500 xhiro/minute. Momenti rrotullues është 400Nm i disponueshëm duke filluar nga 2.000 xhiro.

Turbina është e optimizuar të funksionojë duke u përshtatur me xhirot e motorit duke mundësuar uljen e “turbo lag”, dmth kohën e reagimit të turbinës. Falë përmirësimeve teknologjike, i gjithë motori peshon vetëm 150 kg.
Kambio është njësia automatike S Tronic me tetë marsha, që përveç sprintit në përshpejtim, garanton kohë të shpejta në ndërrim marshi dhe lejon SQ2 arrijë deri në 250 km/h.
Përveç këtyre detajeve, SQ2 do të ofrojë edhe një gamë të gjerë personalizimi si materiale cilësore Nappa ose Alkantara, me tegelin e qepjes të dukshëm në ngjyrë të kuqe ose gri. Detaje të tjera janë sediljet sportive, klimatizatori automatik, timoni multifunksional, sistmi infotainment MMI, etj. Audi Virtual Cocpit, head up display, Audi Connect dhe sistemi audio Bang & Olufsen me fuqi 705 Watt, janë vetëm disa nga elementët me zgjedhje që e bëjnë SQ2 një Audi të pajisur me aksesorë të nivleve më të larta.