na ndiq ne

Mercedes AMG A 35 4Matic

21/09/2018

 

 A Class është një model i rëndësishëm për Mercedes-in dhe kjo duket me pasurimin e gamës brenda këtij modeli. Si çdo model i prodhuesit nga Shtutgarti, edhe A Class duhet të kishte një version ekstrem, që në rastin konkret, e dijmë që do të quhet AMG. 

Shoqëruar nga sigla 35 kuptojmë që fuqia e këtij modeli nuk është ekstreme, por nga Affalterbach garantojnë se është një model i denjë për siglën AMG. Mund të jetë edhe një “baby” AMG, duke parë që fuqia e këtij modeli është “vetëm” 306 kuaj, por kjo shifër do të ishte një numër serioz për çdo prodhues tjetër.

AMG A35 4MAtic, do të jetë pa dyshim modeli më i lirë i gamës AMG, duke qenë se çmimet e tjera janë vërtet të ndaluara për popullsinë e “thjeshtë”.

Meqënëse e filluam nga motori, po vazhdojmë me disa info të tjera. Vëllimi është 1.991 cm3, i njëjti me atë që gjendet tek versioni A250, por fuqia rritet nga 224 në 306 kuaj fuqi. Në ndryshim me
A250, versioni AMG ka një turbo që ndihmon mbiushqimin e cilindrave duke arritur fuqinë maksimale në regjimin midis 5.800 – 6.000 xhiro/minutë. KAmbio është automatike DCT 7G (me dopio freksion). Sprinti 0 – 100 km/h është 4,7 sekonda ndërsa shpejtësia kufizohet në mënyrë elektronike në 250 km/h. Sipas Mercedes-it konsumi është vetëm 7.3 litra, por këtu kemi pak rezerva J

Një motor më i fuqishëm ka nevojë padyshim për një shasi të përforcuar dhe këtë kanë bërë edhe teknikët e Mercedes-it.  Zona poshtë motorit është përforcuar me një shtresë alumini dhe dy krahë diagonalë që forcojnë strukturën në pjesën e përparme. Disqet e frenave janë me përmasa të bollshme 350mm.

Sistemi Adaptive Damping System ofron gradime të amortizatorëve dhe përshtatje në kohë reale për të patur një ekuilibër optimal në çdo ndryshim të rrugës.

AMG A35 është padyshim një model interesant, por edhe konkurrentët me të cilët duhet të përballet nuk bëjnë shaka. Do të veçonim këtu BMW M140i, që zhvillon 340 kuaj fuqi, por bazohet në një motor më të madh, 3.000 kubikë saktësisht, ndërsa Audi S3 zhvillon 310 kuaj fuqi me motor 2.0 TFSI.