na ndiq ne

DS 3 Crossback është gati

17/09/2018

Përpara disa kohësh, bazuar në disa fotografi “spiune” kemi trajtuar lajmin e një SUV-i të ri francez të ri, DS3 Crossback, i cili duket se më në fund është gati. 

Kompakt në përmasa, duket se DS3 Crossback synon të konkurrojë SUV të vegjël. Duke u nisur nga fakti që DS është marka më ambicioze brenda Gupit PSA – Citroën, për sa i përket stilit dhe design-it, në listën e konkurrentëve mund të futen edhe Audi Q2, apo Mini Countryman, por më me këmbë në tokë, le të përfshijmë këtu edhe SUV të tjerë si Fiat 500X, Hyundai Kona apo Kia Stonic.


DS3 Crossback është e gjatë vetëm 412 cm, përmasa ideale për përdorim qyteti. Nga brenda ama kujdesi nuk është kursyer. Kuadri është dixhital, sediljet janë me ngrohje, monitor touch screen për infotainment, Head – up Display, etj.
Ngjashmëria me modelin më të madh DS7 (lexo këtu artikullin e DS7 Crossback) merr detaje si motivet e diamantit në butona, dhe dekorin e brendshëm që marrin frymëzim nga lagje të famshme të Parisit si Montmartre, Bastille, Rivoli, Opera, duke i dhënë një “ngjyrë franceze” nga origjina dhe imazhi. Personalizimet janë të pasura edhe nga oferta e disqeve, ngjyrave dhe tavanit që mund të porositet në ngjyrë të ndryshme me karrocerinë, për ta bërë DS3 Crossback edhe më të veçantë.

E veçanta më e rëndësishme vjen ndoshta për sa i përket motorizimeve, që përfshijnë edhe një variant 100% elektrik, të quajtur E-tense. Fuqia do të jetë 136 kuaj, shpejtësia maksimale 150 km/h, nga 0-100 arrihet për 8.7 sekonda dhe autonomia me një karikim do të jetë 300 km.
Motorët e tjerë tradicionalë do të përfshijnë variantet me benzinë, me vëllim 1.200 kubikë me fuqi 100 deri në 155 kuaj fuqi ndërsa variantet me naftë do të bazohen në njësinë 1.500 kubikë me fuqi 100 dhe 130 kuaj.


DS3 Crossback do të ketë edhe teknologji të mirë për sa i përket asistencës në guidë që do të përfshijë parkimin, frenimin e emergjencës dhe sistem inteligjent ndriçimi që nuk verbon makinat që vijnë përballë.
DS3 Crossback do të mund të porositet në fillim të 2019. Në atë kohë do të deklarohen edhe çmimet për tregun tonë që pritet të jenë diçka më pak se 20.000euro për versionet bazë.

Lexo këtu mbi DS7 Crossback:

Lexo provën tonë të Volvo XC40: