Mercedes EQC 100% elektrik
Sigla EQ është një risi për markën gjermane nga Shtutgarti, e cila duket se ka gati 10 modele elektrike brenda 2022. Kjo bazohet edhe në një investim fillestar prej tre miliardë eurosh të modelit të parë që do të lancohet dhe një miliardë tjetër për prodhimin e baterive.
Modeli i parë që do të shohë autosallonet në vitin 2019 quhet EQC dhe është SUV-i i parë 100% elektrik i Mercedesit. Sigla EQ përcakton teknologjinë, në këtë rast elektrike, ndërsa C përcakton kategorinë në familjen Mercedes, që pa vështirësi të gjithë e kuptojmë që do të jetë në përmasat dhe vëllime të përafërta me SUV-in GLC aktual. Në fakt EQC është 9 cm më e gjatë se GLC me motor tradicional, për një gjatësi totale prej 476 cm, 188 cm e gjerë dhe 162 cm e lartë.
Duke parë kalendarin e lançimit, EQC do të duhet të përballet edhe me Audin E-Tron, përveç I-Pace, të prezantuar tashmë nga Jaguar, i etiketuar si Anti-Tesla i përkryer, duke parë përformancën dhe autonominë e tij.
Mercedesi EQC ka një pamje që dallon nga modelet e tjera të familjes. Mund të quhet edhe një “look elektrik”, me maskerinon e përpunuar me material të shkëlqyeshëm që së bashku me vijën e ndriçuar në maskerino, do të evidentojë identitetin e ri. Fenerët janë led Multibeam dhe luajnë një rol të rëndësishëm në identifikimin e modelit të ri.
Mercedesi kërkon të lançojë një koncept të ri të luksit, më të lehtë, më të pastër dhe për shije më të rafinuara. Për këtë arsye, linjat janë të pastra dhe të pangarkuara, në vazhdimin e asaj që kemi parë me modelet aktuale CLS dhe A Class.Nga brenda EQC ka mjaft ngjashmëri me modelet që përmendëm më lart, duke filluar nga sistemi i kompjuterit në bord, me siglën tashmë të njohur MBUX (Mercedes Benz User Experience).
Monitori i kompjuteri i bordit është i ndarë në dy pjesë, që përbëjnë kuadrin dixhital dhe infotainment, por fizikisht janë i njëjti ekran i gjatë. MBUX ofron ndërlidhje të plotë me pajisjet mobile si dhe disa funksione të avancuara, si për shembull komandat zanore, që mundësojnë përveç të tjerave të mos heqësh vëmendjen nga guida për aktivizimin e disa funksioneve.Ngjyrat e përdorura këtu janë të veçanta nga sistemet e tjera, për të dhënë idenë e një ambjenti të ri, atë elektrik.
Gojëzat e ajrit janë në forma drejtkëndore të ngushta, për të theksuar edhe një herë identitetin e SUV-it elektrik.
Nga ana e performancës, SUV-i i ri vihet në lëvizje nga dy motorë elektrikë, një për secilin aks, duke e bërë kështu EQC një mjet 4×4. Bateritë janë të bazuara në teknologjinë me ione Lithiumi dhe gjenerojnë 408 kuaj fuqi. Jo pak në të vërtetë, edhe pse pesha e EQC nuk bën shaka. Sipas informacioneve të ofruara nga vetë Mercedes Benz, pesha e EQC do të jetë midis 2.400 dhe 2900 kg.
Pavarësisht peshës, EQC starton për vetëm 5.1 sekonda nga 0-100 km/h me një shpejtësi të vetëkufizuar në 180 km/h.
Përfshirë në çmim, Mercedesi duket se do të ofrojë edhe sistemin për karikimin e shpejtë në shtëpi me fuqi 7.4 kW, nëpërmjet të cilit EQC karikohet për rreth 10 orë. Koha e karikimit zbret në 40 min për 80% të baterisë nëse përdoret një kollonë e shpejtë me fuqi 110kW. Konsumi mesatar i EQC është 22.2 kW për 100km për një autonomi totale prej 450 km.
Një kujdes i veçantë i është kushtuar optimizimit të konsumit të energjisë. Navigatori ka “detyrën” të gjejë trajektoren më të shkurtër dhe më ekonomike drejt destinacionit të kërkuar, duke llogaritur trafikun, limitet e shpejtësisë dhe ndryshimet në lartësi (pra nëse ka malore në rrugën e përzgjedhur).
Siç e dimë, makinat elektrike ofrojnë edhe mundësinë e guidës “me një pedal” të vetëm, duke rekuperuar energji gjatë ngadalësimit, e cila shkon për karikim të baterisë, por që krijon efekt frenimi mbi rrota. Guida është e pasuruar edhe me pesë programet Comfort, Eco, Max Range, Sport e Individual.
Së fundmi, çmimi nuk është bërë i ditur ende, por me siguri EQC nuk do të jetë ekonomike. Jaguar I-Pace fillon nga rreth 75.000euro ndërsa Tesla Model X fillon diku nga 90.000euro. Duke qenë se çmimet nuk janë pika më e fortë e Mercedesit, nuk presim të jetë ndonjë ofertë e veçantë, edhe pse natyrisht i mirëpresim për të bërë vlerësimet e rastit.