Audi A1 2.0
Audi A1 erdhi gati gati si një suprizë në 2010. Ishte në fakt një terren i ri ku një markë premium shkelte, në makinat e vogla të përshtatshme për qytet (citycar). Nuk është hera e parë kjo që Audi guxon në një segment të ri, kujtojmë këtu modelin e suksesshëm A3, i cili jo vetëm xhelozoi konkurrencën (gjermane) por hapi një segment të ri ku markat premium nuk kishin shkelur më parë. Nuk e dimë mirë cili do të jetë vazhdimi, por duke qenë se A1 ka shitur mbi 1 milionë kopje në gjeneratën e parë, nuk është çudi të kemi edhe këtu skenarë të ngjashëm me A3.
Ok, kthehemi tek A1 i rinovuar. Ndryshimet me modelin e vjetër janë të shumta dhe të studiuara mirë. Platforma e A1 siç mund të pritet logjikisht, është e mirëkolauduara MqbA0, në të cilën mbështeten Volkswagen Polo dhe Seat Ibiza, ku A1 do të renditet e para nga rëndësia, duke qenë edhe modeli më premium. A1 së pari rritet në përmasa: + 5,6 centimetra në gjatësi (403 cm total) dhe +3,4 cm në gjerësi (174 cm total) sikur duan të konfirmojnë ambiciet premium: hapësira në bord ka gjithmonë rëndësi, edhe nëse flasim për një makinë qyteti. Këtë e konfirmojnë sidomos edhe hapësira ndërmjet dy akseve që rritet me 9 cm dhe bagazhi që tashmë është 335 litra, 65 litra më shumë se modeli paraardhës. Tavani më i ulët krijon një look sportiv pa cënuar hapësirën në fakt, ngaqë ndryshimi është shumë i vogël, -1.3cm.
Le të përmbledhim sa më lart duke thënë që A1 e re është një model më i madh se i pari, për një përdorim më të gjerë dhe me një look më modern dhe teknologjik që të tërheqë pak më shumë ose pak më bindshëm klientelën mashkullore. Ndoshta në këtë drejtim mund të japin një dorë edhe motorët e rinj turbome benzinë, edhe pse nafta tek A1 nuk do të “pranohet”.
Në misionin e joshjes, A1 ka më shumë armë se kaq. Design siç e thamë është më modern, më teknologjik dhe me një “ngjyrim” sportiv të dukshëm. Maskerino është më e madhe dhe me forma gjeometrike. Mbi të spikasin tre të çara në pjesën e poshtme të kapakut të motorit. Ky element design-i, përveç tiparit sportiv lidh A1 edhe me një model historik të Audit, me modelin Sport Quattro të vitit 1984, një Coupé që ka patur një histori të lavdishme në botën e garave rally.
Në profil linjat janë të relativisht tradiconale, por të pastra dhe të kuruara ndërsa në pjesën e pasme gjallërohen nga fenerët teknologjikë Led të cilët janë të vendosur në mënyrë horizontale, por të dukshëm edhe në profil.
Pjesa e design-it të jashtëm kompletohet nga një gamë e gjerë ngjyrash dhe kombinimesh ku mundësohet edhe tavani, i kombinuar me pasqyrat, me ngjyrë në kontrast me pjesën tjetër të makinës.
Nga brenda A1 është rinovuar totalisht duke u bërë e pasur në teknologji dhe duke krijuar idenë se pavarësisht përmasave, nuk ka asnjë mungesë krahasuar me disa nga modelet e tjera më të mëdha.
Kruskoti ka një formë ergonomike, të orientuar nga shoferi, si prej coupé-je. Gojëzat e ajrit bëhen drejtkëndëshe dhe ruajnë një design më familjar me modelet e tjera. Këtu mund të ofrohen shtesë edhe korniza të ndriçuara me 30 tonalitete ngjyrash.
Sistemi mutimedial ka disa opsione ku më i kompletuari (dhe më i shtrenjti) bazohet në teknologjinë me prekje dhe ka përmasa 10.1”. Mundëson navigatorin, radion, komjuterin e makinës dhe shërbime të avancuara si Audi Connect, me informacione mbi trafikun, mbi gjendjen e parkimeve dhe mundësinë e navigimit në Google earth dhe Street view.
Motorët e A1 janë të gjithë me benzinë dhe kanë një diapazon midis 95 dhe 200 kuaj fuqi. Në modelet me motor më të fuqishëm, klientët mund të zgjedhin paketën Performance Dynamic Package, e cila përfshin disqet e frenave më të mëdhenj (312 mm përpara dhe 272 mm mbrapa), Audi Drive Select me katër programe guide: auto, dynamic, efficiency dhe individual. Motorët janë me tre cilindra, nga 95 deri në 115 kuaj fuqi dhe me katër cilindra, 151 – në 200 kuaj fuqi.
E vërtetë që ndërkohë që përmendim listën e opsioneve, fillojmë të imagjinojmë edhe versionin ideal të kësaj makine, që si çdo Audi, meriton të jetë e kompletuar, duke ju lënë dorë të lirë sipas portofolit të secilit.
Në pritje të zyrtarizimit të çmimeve mund të themi që Audi A1 nuk do të jetë modeli më ekonomik i segmentit të makinave të qytetit, por me siguri do të jetë një nivel më ekonomik për të hyrë në një markë premium, edhe sepse është i vetmi 😉
Lexo provën tonë të Audi A3 Sportback:
Lexo provën tonë të Opel Astra Enjoy: