Volvo, “Mrekullia” që shpëtoi gjashtë jetë
Një aksident i ndodhur në Golem ka pushtuar titujt e gazetave dhe portaleve ditën e premte. Treni i pasagjerëve Durrës-Elbasan përplasi një automjet me të cilin po udhëtonin një familje me gjashtë anëtarë, dy prindër dhe katër fëmijët e tyre me moshë dy deri tetë vjeç.
Kur lexon se “treni merr zvarrë makinën për gati 100 metra”, frika është për pasoja fatale dhe shpresat janë normalisht të pakta, sepse një tren është një mjet transporti ndër më të gjigandët për nga pesha dhe përmasat. Në fakt, tashmë asnjë nga pasagjerët e përfshirë në këtë aksident nuk pati dëmtim të rëndë dhe në këtë moment me siguri e gjithë familja ka lënë spitalin.
Një detaj që mund të duket sipërfaqësor në këtë ngjarje duhet theksuar: Ata po udhëtonin me një Volvo! Saktësisht në bordin e një modeli SUV XC90 të gjeneratës së parë, që ka marrë pesë yje në “crash test”-et EuroNCAP. Në fakt, në këto teste, të gjitha Volvot marrin pesë yje me pikët maksimale si nga ana e sigurisë pasive, siç është rasti i aksidentit në fjalë, por dhe të asaj aktive, me sisteme pararojë të asistencës në guidë dhe të reagimit të vetë makinës për të parandaluar aksidentet.
Rezultate të tilla nuk janë rastësi, nëse mendon se Volvo është marka që ka shpikur rripin e sigurimit që ne përdorim sot, që është makina që ka shpikur një airbag për këmbësorët jashtë makinës, për të cilin ka edhe një rekord Guinness, apo që ka shpikur frenimin e emergjencës. Aq më shumë nuk është rastësi që Volvo XC60, rezultoi makina më e sigurt në botë për vitin 2017 (kliko këtu për artikullin e Volvo XC60).
Në Angli raportojnë se nuk kanë rregjistruar asnjë aksident të rëndë me pasoja fatale me Volvo XC90. Duke parë që familja fatlume vinte nga Anglia, ndoshta përzgjedhja e makinës që familja posedonte nuk është rastësi. Në Suedi, një kompani sigurimesh me 170.000 aksidente në databazën e tyre, deklaron se marka më e sigurt është Volvo ku veçanërisht modeli XC90 rezulton 60% më i sigurt se mesatarja.
Volvo është një markë që ndër vite ka fituar reputacionin si marka më e sigurt në botë dhe kjo vjen si fryt i një studimi dhe investimi konstant në drejtim të sigurisë. Një ekip i veçantë tek Volvo Cars, heton dhe studion dinamikat e aksidenteve që nga viti 1970 dhe sot baza e saj e të dhënave përmban informacion për rreth 43.000 aksidente. Duke përdorur njohuritë e përfituara, Volvo synon identifikimin e zgjidhjeve të teknologjisë së lartë, të cilat ndihmojnë në shmangien apo ne zbutjen e aksidenteve.
Një tjetër detaj mbresëlënës del në pah nëse shohim imazhet e aksidentit. Pavarësisht impaktit të fortë që mund të shkaktohet nga një trup çeliku prej qindra tonelatash dhe pas zvarritjes prej gati 100 metrash, karroceria e Volvo-s ka pësuar dëmtime të dukshme në sipërfaqe, por vetëm disa përthyerje minimale në shasi, duke ruajtur të paprekur kabinën e automjetit. Kjo ka garantuar edhe që të gjitha sistemet në brendësi të kabinës të funksionojnë normalisht, të padëmtuara, duke shpëtuar jetët e gjashtë pasagjerëve.
Kjo nuk është e rastësishme pasi karroceritë e të gjitha modeleve Volvo përbëhen nga një kafaz sigurie tepër rezistent, realizuar me çelik Boron, çeliku më i fortë që përdoret aktualisht në industrinë e prodhimit të automjeteve dhe zë rreth 40% të peshës së karrocerisë. Gjithashtu zonat deformuese para dhe mbrapa ndihmojnë në uljen e efekteve të perplasjes.
Në rast përplasjesh nga ana e dyerve, njësoj si në aksidentin në fjalë, sistemi i mbrojtes anësore (SIPS) shpërndan forcën përplasëse nëpër një pjesë të madhe të trupit të automjetit për të zvogëluar më tej rrezikun e dëmtimit. Ndërsa në rastet e aksidenteve me përmbysje të automjetit, konstruksioni i fortë i tavanit ndihmon në mbrojtjen e udhëtareve, sërish duke mos lejuar deformime në kabinë.
Siç e kemi përmendur edhe në artikuj të tjerë, Volvo operon me një vizion krejt të sajin drejt të ardhmes. “Brenda vitit 2020, asnjë nuk duhet të vdesë apo të dëmtohet rëndë në bordin e një modeli të ri Volvo.”
Nuk e dimë nëse në Volvo marrin parasysh aksidente me trena, edhe sepse për një vend si Suedia është e vështirë të mendosh për një situatë kaq të pambojtur dhe pa norma sigurie, por mund të themi se vizioni i markës suedeze, mbetet i përgëzueshëm dhe i respektueshëm në çdo vend, përtej çdo mode kalimtare apo teknologjie sipërfaqësore.
Ndërkohë, ne të Automag.al ju bëjmë bëjmë disa pyetje:
Cili është kriteri që ju udhëheq në blerjen e makinës suaj? A është siguria element i procesit të zgjedhjes? Cilat janë sistemet e sigurisë që zgjidhni për makinën juaj?
Dyzetëvjeçari që po drejtonte automjetin e tij mëngjesin e së premtes duket se e kishte peshuar mirë zgjedhjen e tij dhe jemi të bindur që do të jetë krenar çdo ditë të jetës së tij. Mos e quani atë mrekulli siç bënë gazetat.
Lexo edhe:
Volvo XC60 është makina më e sigurtë për 2017