na ndiq ne

Provuam Volvo XC 40

14/08/2018

 Në një test drive në terren nuk është e thjeshtë të vendosësh se nga do t’ia fillosh, edhe sepse janë shumë elementët që të tërheqin vëmendjen për herë të parë. Për më tepër, që modeli i kësaj prove është edhe makina që ka fituar çmimin si makina më e mirë për 2018.

Ok, Volvo XC40 ka një pamje prej një kryeneçeje të vogël që në fakt duhet të themi që në fillim, është e madhe në çdo detaj.  Nga ana e përmasave XC40 është e raportuar mirë me segmentin SUV kompakt. Gjatësia 443 cm, e bën atë një makinë të përshtatshme edhe për guidën në qytet, por nga brenda ofron hapësirën e mjaftueshme. Hapësira është e mjaftueshme në zonën e këmbëve, në zonën përreth duke përfshirë kruskotin dhe timonin si zonën për pasagjerët mbrapa. Bagazhi ofron hapësirën e nevojshme duke e bërë XC40 një partner ideal udhëtimesh dhe aventurash.

Nga ana e design-it XC40 ka thuajse personalitetin më të spikatur në familjen Volvo, pasi këtu elementë të përbashkët me modelet më të mëdhenj XC60 dhe XC90, dalin më në pah, duke qenë më e vogël në përmasa. Kështu fenerët në stilin e çekiçit të heroit kinematografik Thor apo disqet në përmasa 20” i japin një pamje agresive dhe moderne në të njëjtën kohë.

Nga brenda Volvot shquhen për design të pastër, harmonik dhe esencial, të pasuruar vetëm nga detaje cilësie si insertet e aluminit në kruskot, materiali i përpunuar në një reliev të lehtë dhe cilësia e çdo materiali në prekje e peceptueshme lehtësisht.

Modeli i provës sonë ishte i pajisur me impiantin audio Harman Kardon, me sistemin inovativ që integron woofer-at në zonën e kruskotit dhe rezultati është një sound i plotë dhe shpërndarë në mënyrë të ekuilibruar për të shijuar vërtet muzikën tuaj të preferuar. Ky sistem mundëson edhe “zhveshjen” e dyerve nga altoparlantët me përmasa të mëdha duke krijuar edhe më shumë hapësirë në zonën e këmbëve.

Qendra e infotainment bazohet në sistemin Sensus, i komandueshëm nga një ekran me prekje 9″, që në rastin e XC40, është i njëjtë me atë të versioneve më luksoze, duke ofruar gjithë teknologjinë e prodhuesit suedez, pavarësisht modelit. Meriton të përmendet këtu pamja e ofuar nga Sensus në rastin e ecjes mbrapsh. Një pamje 360° nga lart, sikur të ishte e filmuar nga një drone të krijonte idenë se je në një videogame dhe e bën çdo parkimin të duket një lojë.

Motori i ekzemplarit të provës është njësia D4 me naftë që zhvillon 190 kuaj fuqi, që në fakt e kemi testuar edhe me modelin XC60, por këtu, falë peshës më të vogël dhe shasisë së XC40, dukej edhe më muskuloz. Guida e thjeshtë perceptohet që në metrat e parë dhe në çdo hap bëhet argëtuese. Në pjesën e autostradës në të cilën filluam testin tonë, trafiku ishte tepër i ngarkuar, siç ndoshta është normale në këto ditë gushti, por shumë e bezdisshme nëse ke nevojë të provosh tërheqjen e motorit apo ekuilibrin e makinës. Nga ana tjetër, në këto kushte, patëm mundësi të prezantohemi menjëherë me sistemet e shumtë të asistencës në guidë që XC40, si çdo Volvo, natyrisht i ka me shumicë. Kështu, makina njeh korsinë dhe e ruan atë në rrugë të drejtë dhe në kthesa edhe pa duar në timon. Ka një sistem shumë efiçent të frenimit të emergjencës, ruajtjes së distancës nga mjeti që na paraprin dhe nga makinat që vijnë nga mbrapa kur jemi duke ecur mbrapsh.

Për t’i shpëtuar paksa trafikut të ngarkuar dhe për të provuar XC40 në kushte rruge interurbane, dalim në Vorë në drejtim të Rinasit, ku mund të provojmë disa kthesa të lehta dhe të zbulojmë menjëherë se parakalimet me këtë motor janë një lojë shumë e thjeshtë (që duhen bërë patjetër sipas tabelave dhe me kujdesin maksimal!). Në Rinas vendosim të marrim sërish autostradën në drejtim të Durrësit. Kësaj rradhe mund të testojmë izolimin akustik, vërtet cilësor dhe një ecje me hap konstant e të relaksuar që nënkupton udhëtime të qeta dhe komode. Për çudinë tonë edhe rrotat e mëdha në disqe 20” bënin një zhurmë poshtë pritshmërisë sonë. Pas daljes së Maminasit në rrugën me kthesa që gjarpëron drejt Gjirit të Lalëzit, mund të provojmë motorin dhe ekulibirin e XC40. Motori ka një karakter vigoroz dhe është gjithmonë në lartësinë e momentit. Në këtë rast, është një kënaqësi edhe përdorimi në mënyrë manuale i kambios automatike Geartronic, me tetë marshe.

Në ecje me hap ritmik në rrugë me kthesa XC40 tregon një trup të shkathët, meritë edhe e shasisë me distancë 270 cm ndërmjet dy akseve, që e mban të “mbledhur” në kthesa pavarësisht se si në çdo SUV, bariqendra e lartë krijon një efekt të lehtë “batimi”, që në këtë rast ishte vërtet minimal. Konsumi ishte një tjetër element interesant me 5litra/100 km të deklaruar nga Volvo si vlerë mesatare. Gjatë provës sonë kompjuteri i bordit shënonte pak më shumë, por krejt normale, pasi guida jonë nuk mund të quhej “e fjetur”. Vështirë t’i gjenden difekte kësaj makine, që të themi të vërtetën ishte një surprizë e këndshme në të gjitha drejtimet.

Çmimi i Volvo XC40 fillon nga 31.900euro dhe nuk është pika e saj më e fortë, por duhet të themi që konkurrenca është vërtet e pakët. I vetmi model që mund të jetë një alternativë në këtë segment, mund të jetë Audi i ri Q3, por që ende nuk ka dalë në treg dhe si çdo Audi, nuk do të jetë aspak e lirë.

Ka nevojë të themi që XC40, si çdo Volvo, ka marrë pesë yje në testet e sigurisë EuroNCap? 😊

Në mbyllje mund të themi se Volvo XC40 kaloi me sukses çdo element të provës sonë dhe shënon një standard të ri në segmentin e makinave SUV kompakte të nivelit premium (ose Luxury). Mundësitë e personalizimit janë të shumta duke sfiduar në mënyrë të pafundme fantazinë tuaj, por edhe portofolin, pasi çdo opsion shtesë është me pagesë 😉