na ndiq ne

Ford F-150 Raptor

26/05/2018

Ford F150 është një mit në panoramën automobilistike botërore, pavarësisht se pak i njohur në Europë sepse këtu Ford ofron vetëm modelet Edge (kliko për artikullin e Ford Edge) dhe Kuga në segmentin SUV. F150 Raptor është modeli i dytë më i shitur në botë dhe i pari në llojin e tij.

Ky “Pick up” amerikan mund të duket gjigant për rrugët e Tiranës, por do të ishte menjëherë në habitatin e tij natyral nëse do të mendonim terrene si shtigjet e Valbonës apo të Thethit, apo edhe zona tërësisht të pashtruara.

Për 2019 F150 Raptor sjell disa risi ku ndoshta ndër më të rëndësishmet mund të përmendim një sistem të ri amortizimi. Detajet e reja e bëjnë atë edhe më solide por në të njëjtën kohë edhe më sportive, ku sport nuk nënkuptojmë natyrisht pistën por eksplorimin.

Fillojmë me shasinë e cila është baza e çdo makine. Në këtë rast, gjejmë një sistem të ri amortizimi Fox 3.0 Internal Bypass që ka një kontroll elektronik të bazuar në sensorë që dallojnë dinamikën e rrugës që po përshkohet. Psh nëse sensorët dallojnë që F150 është duke bërë një kërcim, në stilin e filmave “action”, amortizatorët ngurtësohen për të garantuar një zbritje më të butë në tokë.

Ekskursioni i amortizatorëve është deri në 33cm dhe 35 mbrapa dhe nëpërmjet sistemit Live Valve përshtasin në mënyrë të vazhdueshme shasinë e makinës për të garantuar një ecje komode në asfalt por edhe në çdo terren tjetër.

Motori i këtij “pick-up”-i mbetet njësia muskuloze 3.500 kubikë V6 me dy turbo i cili zhvillon 450 kuaj fuqi dhe ka një moment rrotullues prej 692 Nm. Kambio është automatike me 10 marsha dhe ofron edhe marshat e “shkurtra” që përdorin fuqinë e motorit jo për shpejtësi por për forcë tërheqëse më kushtet jashtë rruge.

Sistemi Trail Control është një risi e nevojshme për guidën jashtë asfaltit dhe deri në shpejtësinë 32km/h rregullon shpejtësinë dhe frenimin në çdo rrotë në mënyrë të pavarur. Kjo garanton tërheqje të vazhdueshme pa u cënuar nga rrotat që mund të humbasin kontakt me sipërfaqen.

Nga ana estetike, për herë të parë Ford F150 Raptor ofron disa përmirësime estetike duke sjellë sediljet sportive të prodhuara nga Recaro me tegela qepjeje dhe detaje të frymëzuara nga _Coupé-ja Ford Mustang (kliko për artikullin mbi Mustang) dhe sportivja  Ford GT.

Ky model nuk është konfirmuar ende në rrugë zyrtare për tregun europian. Për tregun amerikan parashikohet të jetë gati për porosi ngafundi i vitit. Do të prodhohet në stabilimentin e Michiganit, në Dearborn dhe do të ofrohet në tre ngjyra:  Ford Performance Blue, Velocity Blue e Agate Black.