na ndiq ne

Opel Astra Enjoy 1.4 Turbo ECOTEC

10/04/2018

Çfarë kanë të përbashkët Audi A4, BMW Seria 7, Jaguar XE, Mazda MX-5, Opel Astra, Skoda Superb dhe Volvo XC90? Asgjë në fakt përveç faktit që ishin finalistet e konkursit prestigjioz Europian “Car of the Year 2016”.

Nëse nuk e dini, fituesja është Opel Astra, është një nga modelet më të suksesshme dhe më të shitura të markës gjermane. Jo pa arsye pra Opel ka përqendruar në të shumë nga energjitë e saj dhe arriti të lerë pas edhe Volvon XC90, që sipas shumicës ishte fituesja e padeklaruar.

Mbi këto baza, natyrshëm që Astra e re ishte në shënjestër për një test drive në rrugët tona. Modeli i përzgjedhur për këtë test të parë është versioni Enjoy me motorin “1.4 Turbo ECOTEC Direct Injection” i cili zhvillon 125 kuaj fuqi.

Me çelësin në dorë, duke u drejtuar nga makina, vëmë re se Astra ka një pamje të sigurtë, e ngashme në linja me modelin paraardhës, por e rinovuar mjaftueshëm për ta bërë të dallueshme dhe me risi të rëndësishme bashkëkohore.

Së pari, Astra e re është e rinovuar edhe në përmasa, 5cm më e shkurtër se modeli paraardhës, por paradoksalisht me më shumë hapësirë në çdo aspekt. Hapësira në fakt është një nga pikat e forta të këtij modeli, përpara dhe mbrapa, duke pranuar në mënyrë komode deri në pesë pasagjerë, duke shpresuar që personat që ulen mbrapa të mos jenë të tre mundësa japonezë të Sumo-s 🙂

Bagazhet gjithashtu nuk do të jenë më një sakrificë pasi vëllimi 370 litra është ndër më të mëdhenjtë e kategorisë.

Në qoftë se nga jashtë Astra ruan disa ngjashmëri me modelin paraardhës, brenda është totalisht e rinovuar. Kruskoti brenda është i realizuar me materiale cilësore dhe ka një design vërtet të ri. Komandat me buton të versionit paraardhës i kanë lënë vendin një monitori të këndshëm touchscreen i cili ndërlidhet në pak sekonda nëpërmjet teknologjisë Bluetooth dhe nëse lidhet me fishën fizike, ofron upgrade në Apple Carplay dhe Android Auto. Poshtë bllokut të komandave, gjendet një xhep i vogël apostafat për celularët, praktik dhe i dobishëm.

Pajisjet teknologjike plotësohen edhe nga një portë USB dhe një hyrje AUX, të “fshehura” poshtë mbështetëses së krahut midis dy sediljeve.

Timoni multifunksional, përveç që është cilësor në prekje, është i rregullueshëm në lartësi dhe thellësi, duke ofruar gradimin optimal menjëherë, për një pozicion guide praktik dhe korrekt.

Në ndezje 1.4 me benzinë është i heshtur thuajse si një motor elektrik dhe vibracionet nuk ekzistojnë. Merita këtu është e gjitha e projektuesve, që kanë arritur të ofrojnë një ambjent vërtet të qetë dhe të përshtatshme edhe për rrugë të gjata.

Ky motor është padyshim një nga pikat e forta të Astra-s. Është elastik dhe ka një progresion të admirueshëm. Duket se njëgjetje më vete që nxjerr në pah meritat e tij është edhe kambio manuale me gjashtë marsha. Për të gjithë ata që shtrembërojnë buzët duke lexuar ”manual” ju garantojmë që kjo kambio, natyrisht larg kambios automatike (të disponueshme si opsion shtesë natyrisht) ia lehtëson vërtet punën shoferit.

Marshat 1 dhe 2 kanë progresion të shkurtër dhe janë shumë të përshtatshëm për rrugë apo rrugica qyteti, ndërsa marshat 3 dhe 4 kanë një progresion të pafundëm duke nxjerrë në pah elasticietin e motorit e duke bërë që të harrosh nganjëherë se ke të bësh me një “manual”.

Për ta bërë më të qartë këtë që po themi, në vetëm 3.000 xhiro, në marshin e katërt, Astra udhëton me 100 km/h, shpejtësi jashtë tabelës në shumë prej rrugëve tona. E qartë këtu që marshat 5 dhe 6 janë të përshtatshëm për udhëtime në autostradë, ku efiçenca është e plotë dhe objektiv është ulja e konsumit. Për të monitoruar regjimin optimal, një shigjetë në kuadër tregon në çdo moment se kur është momenti për të rritur marshin.

Në guidë, Astra duket e ekulibruar, komode dhe stabël. Duke e stresuar në një rrugë dytësore me kthesa, vëmë re që timoni përgjigjet mirë dhe një miks i mirë midis motorit, frenave, timonit dhe shasisë, ofrojnë edhe njëfarë kënaqësie për kë është sadopak i apasionuar ndaj guidës sportive. Në rastin tonë, meritë kanë edhe gomat me përmasa 225/45R17 që ndihmojnë në ekuilibrin e përgjithshëm. Cilësitë e mira aplifikohen në rastin e një guide të relaksuar. Astra në këtë rast ofron vërtet një udhëtim në qetësi të plotë dhe me zero stress.

Në rrugët e qytetit, Astra nuk është natyrisht një Smart, por është ende në përmasa të përshtatshme për përdorim qyteti të rehatshëm dhe sensorët e parkimit të thjeshtojnë vërtet jetën.

Teknologjia e përgjithme është vërtet e pasur edhe në drejtim të sigurisë me opsione si Opel Eye, që monitoron çdo gjë ndodh rreth makinës, Forward Collision Alert, i cili sinjalizon “rrezik aksidenti!” dhe nga 60km/h frenon vetë, “Traffic Sign Assist”dhe “Lane keep assist” ndihmojnë në leximin e tabelave të rrugës dhe ruajtjen e korsisë me korrigjim aktiv, e të tjera.

Në 120 km që ne bëmë gjatë testit tonë mbetëm pozitivisht të kënaqur dhe mendojmë që me çmim fillestar 14.400 euro dhe 4 vjet garanci, Astra është vërtet një alternativë interesante për tregun shqiptar. Këtu nuk mungojnë natyrisht konkurrentët e shumtë, si Ford Focus, Peugeot 308, Citroën C4, etj. por  Astra është vërtet e “armatosur” mirë dhe tashmë u ka hyrë në pjesë …