na ndiq ne

Maserati Levante

02/04/2018

Maserati Levante, prej dy vjetësh tashmë në treg, duket se ka vendosur t’i japë një hov të ri shitjeve me dy paketa të reja  Gransport dhe Granlusso. Në fakt, megjithëse do të ishte shpejt për një “facelift”, që zakonisht bëhet në gjysëm të ciklit të jetës, disa risi të rëndësishme prezantohen këtu.

Mund të fillojmë me zëvendësimin e sistemit të timonit. Sistemi hidraulik zëvendësohet nga një sistem më modern elektrik. Ky sistem, ndikon pozitivisht në konsum patjetër, por kryesisht është më i përshtatshëm për asistencën në guidë. Kjo mundëson përshembull kalimin nga sinjalizimi i ndryshimit të korsisë, në korrigjimin e ndryshimit të korsisë (kur kjo ndodh në mënyrë të pavullnetshme).

E njëjta ndodh edhe në rastin e ndryshimit të korsisë kur kjo është e zënë: sistemi forcon timonin duke e vështirësuar manovrën dhe duke mos lejuar kështu ndryshimin.

Përmirësime vijnë edhe nga ana e guidës autonome, në të cilën Maserati i afrohet kështu nivelit 2, dhe përfshin sistemin “Highway asist” (asistenca në autostradë) që nënkupton ruajtjen e korsisë me kusht që shoferi të ketë vëmendje dhe duart në timon.

Pavarësisht peshës aspak pupël (mbi 2 tonë) Maserati LEvante ka dhënë rezultate të mira në testet e kryera në dunat e rërës, ku pa asnjë sekret, prodhuesi italian është i prirur t’i shkelë syrin klientelës arabe, e pasur dhe kërkuese.

Maserati Levante ofrohet në motorë benzine dhe nafte, duke filluar nga 3.000kubikë me naftë me 250 kuaj fuqi dhe më tej me 275 kuaj fuqi. Duke kaluar në versonet me benzinë, më të përshtatshme për një Maserati, motori V6 me benzinë ofrohet në dy fuqi: 350 dhe 430 kuaj fuqi.

Maserati Levante fillon nga 73.900euro por me siguri, klienti tipik i Maserati-t nuk do të kënaqet me versionet bazë. Në këtë rast, çmimin e vendos vetë çdo klient, Maserati garanton vetëm për kënaqësinë e guidës.