na ndiq ne

Seat Arona

16/03/2018

Seat Arona, Crossover më i ri nga prodhuesi spanjoll, sipas traditës Seat, merr emrin nga një qytet në zemër të ishujve Kanarie. Në fakt, Arona është spanjolle vetëm në emër, pasi çdo gjë tjetër në këtë makinë është gjermane, duke filluar nga platforma në të cilën është ndërtuar. Mbi platformën MQB, janë ndërtuar jo vetëm Seat Ibiza por dhe Volkswagen Polo dhe modele të tjera të grupit.

 
Design i jashtëm i Aronës është një vazhdimësi e asaj që Seat ka prezantuar me Ateca-n dhe bazohet në linja të mprehta të cilat i japin karakter crossover-it të vogël. Pavarësisht ngjashmërive me Seat Ibiza-n, Arona është një miks i një makine kompakte dhe një Coupé-je moderne që i shkel syrin klientelës rinore.
Design-in e bën edhe më modern linja e profilit të theksuar dhe mundësia e konfigurimit bikolor, ku tavani ka ngjyrë të ndryshme nga pjesa tjetër e makinës.
Nga brenda Arona mbrohet mjaft mirë me disa pika të forta duke filluar nga hapësira, e mjaftueshme përpara dhe mbrapa për katër persona. I pesti mund të bezdiset pak nga tuneli qendror në zonën e poshtme, por ky është një problem i shumë makinave sot, aq më shumë në segmentin Suv.

Kruskoti dhe pjesët e tjera janë të realizuara në plastikë të fortë, por me pamje të kuruar dhe cilësore. I gjithi “ndriçon” nga monitori Lcd me prekje në qendër, që i japin Aronës një look vërtet modern. Funksionet e infotainment janë të larmishme dhe ndërlidhja me celularin tuaj është e plotë nëpërmjet Bluetooth-it, Apple Car Play dhe Android Auto. Në zonën poshtë komandave të kimatizatorit, mjaft të dobishme gjenden dy porta USB dhe një hyrje Aux plotëson ndërlidhjen me çdo aparat tjetër.
Motori i Aronës është njësia e kolauduar e grupit Volkswagen, 1.000kubikë me benzinë memtre cilindra, i cili zhvillon një fuqi prej 115 kuaj. Ky motor e çon Aronën nga 0-100 për 9.8 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale 182km/h. Lajme të mira vijnë nga konsumi i kësaj makine, ku Seat premton 4.9 litra/100km dhe pesha e lehtë e Aronës, 1.182kg, na bën të mendojmë se konsumi i deklaruar është shumë afër realitetit.


Në ndezje tre pistonët janë të qetë dhe të gatshëm të ngjisin në mënyrë progresive xhirot e motorit. Në ecje Arona na bindi menjëherë, që në metrat e parë, me një pozicion guide të lartë (për nivelin e saj) por me një sjellje të qëndrueshme, pasi bariqendra mbetet e ulët dhe shasia mjaft solide. Rezultati është një guidë e sigurtë dhe një udhëtim komod.
Një notë të mirë merr edhe timoni, i sinqertë dhe i drejpërdrejtë. Trajektorja vendoset me lehtësi dhe Arona i bindet komandave në kohë dhe mbi të gjitha pa atë difektin që kanë disa Suv të kësaj kategorie të cilët batohen në kthesë dhe të detyrojnë të heqësh shpesh këmbën nga gazi. Timoni është “pupël” në përdorim, madje për shijet sportive edhe më shumë seç duhet, por ne u mësuam shumë shpejt dhe mendojmë se kjo gjë është më shumë një avantazh, pasi për guidën në trafikun e qytetit është një antistress i vërtetë. Kjo edhe falë faktit që Arona të jep menjëherë një ndjesi sigurie, sikur i ke dhënë më parë dhe u tregua mjaft reaktive në ndryshimet e shpeshta të korsive, në mes të trafikut të rënduar të Unazës së Re.


Kambio automatike në “Drive“ (ose normal) privilegjon konsumin, por për ata që janë më “gazmorë” në guidë, mjafton ta çojnë levën e kambios në “Sport”, ku mund të shtrydhin mirë të tre cilindrat e motorit. Kështu, gjarpërimi që të çon në Kalanë e Petrelës për një moment na u duk si rrugët e Montecarlos dhe pamja nga brenda Aronës dukej se i qendronte këtij dekori.
Në zbritje frenat konfirmuan edhe njëherë cilësinë e tyre. Të gatshme dhe të fuqishme por jo agresive, garantojnë kontroll të plotë në çdo kthesë të kësaj zbritjeje të thepisur.
Një notë pozitve duhet ta themi padiskutim për sigurinë e Aronës, ku gjashtë airbag janë në shërbim të shoferit dhe të pasagjerëve si dhe fakti që Seat Arona ka marrë pesë yje në “crash test” nga EuroNCap. Arona disponon edhe një sistem frenimi emergjence automatik i cili në rast se ju godet një makinë tjetër, frenon makinën për të evituar që kjo të godasë makina të tjera apo të dalë nga rruga.


Konkurrenca në këtë segment është e pasur me emra si Hyundai Kona, Kia Stonic, Fiat 500X, Renault Captour, etj. por Arona sipas nesh ka ndër armët e saj të forta guidën e sigurtë, komoditetin, hapësirën, cilësinë gjermane si pjesë e grupit Volkswagen dhe një çmim shumë atraktiv. Duke filluar nga 12.900euro, ku përfshihen ajri i kondicionuar, ABS, ESP, kapëse Isofix, Start&Stop dhe pajisje të tjera, Arona ju pret me njërin sy të shkelur për një test drive.