Peugeot prezanton 508 e re
Duket se ka mbaruar pritja per versionin e ri te modelit 508 nga Peugeot. Berlina e re, e disponueshme në sallonin e Gjenevës, duket se është totalisht e rinovuar dhe modeli i ri synon edhe një ripozicionim të rëndësishëm: 508 e re paraqitet si një berlinë-Coupé, duke i shkelur kështu syrin një klientele më kërkuese dhe më të rafinuar.
Objektivi është ambicioz në vetvete por duket se Grupi PSA-Citroën, i ka menduar mirë gjërat përpara lançimit.
Nga ana e design-it, 508 e re njësohet me “new look”-un e prezantuar më parë nga simotrat 308, 3008 dhe 5008, si jashtë, ashtu dhe brenda. Ajo që e dallon 508 brenda modeleve të luanit, është një prerje më agresive dhe më sportive. Kjo duket qartë në lartësinë e makinës, vetëm 1.4metra, në dritaret e pa kornizë dhe në elementë design-i të pamjes ballore, siç janë dy insertet Led në formë dhëmbësh elefanti, në të dy anët e parakolpit të përparmë.
Gjatësia e përgjithshme ulet në 4.75 metra, por Peugeot garanton se kjo nuk cënon hapësirën në bord.
Ngjashmëritë me “familjen” duken edhe nga brenda ku 508 propozon kruskotin në stilin i-cockpit, me timonin e “zvogëluar” dhe të “prerë” lart dhe poshtë, duke i lënë kështu pamje të lirë kuadrit dixhital me përmasa të bollshme 12.3”, në formën e një “cockpit” të realizuar mirë.
Funksionet e infotainment komandohen nga një ekran i dytë me prekje në qendër të kruskotit.
Këtu komandohet dhe gradimi i makinës me zgjedhje midis Eco, Sport, Comfort dhe “Normal” ku ndryshimet përfshijnë kambio, motor dhe amortizim.
Peugeot 508 ndërtohet nëplatformën Emp2 falë së cilës është 70kg më e lehtë se versioni i mëparshëm, por duke rritur ngurtësinë e makinës dhe stabilitetin me sistem amortizimi multilink me komandim dixhital.
Motorët janë të gjithë Euro6 dhe fillojnë nga 1.6 benzinë me 180 dhe 225 kuaj fuqi. Versionet e naftës arrijnë fillojnë nga 1.5 dhe përfshijnë edhe versionin klasik 2.0 me 180 kuaj fuqi, mesiguri më interesanti për tregun tonë. Kambio automatike EAT8 me tetë marsha është një opsion i përfshirë në shumicën e modeleve
508 e re do të jetë e pasure dhe në sisteme të asistencës në guidë me një sy drejt sigurisë. Kështu, Night-Vision System, frenim emergjence me identifikim të kalimtarëve dhe çiklistëve, Active Lane Departure Warning, Driver-Attention Warning, Adaptive Cruise Control, Stop&Go, etj do të jenë disa nga funksionet kryesore të disponueshme me kërkesë.
508 e re do të prodhohet në fabrikën e Mulhouse dhe objektivat parashikojnë dorëzimet e para brenda shtatorit për tregun europian, ku përfshihet edhe ai shqiptar.