A Class 2018
Mercedesi ka prezantuar pak ditë më parë modelin e ri A Class. Ndryshe nga e kaluara, ky model është i pajisur me gjithë arsenalin e risive teknologjike që rrallëherë gjenden në një model të segmenteve “të ulëta”, ose më saktë, që zakonisht jemi mësuar t’i gjejmë në modelet superiore.
Po e fillojmë me një kuriozitet: e mbani mend 190? A Class i ri ka të njëjtën gjatësi! Kjo gjë që na e vështirëson pak pozicionimin e kësaj makine në segmentin C, ose kompakte.
Sipas deklaratës zyrtare të Mercedes-it, pamja e jashtme duket se është e gjitha e bazuar në sportivitet, dinamizëm dhe emocion. Kjo gjë dallohet në turirin e ulët, me fenerët e hollë e të pjerrët të cilët i vendosen në skaje “gojës” së dizenjuar sipas stilit të ri (prezantuar me CLS e re) duke krijuar një pamje dinamike. Pjesa sportive perceptohet më shumë në profil, i theksuar edhe nga gjatësia e makinës, e rritur tashmë në 442 cm, ku xhamat janë të lartë si në një coupé.
Brenda A Class i ri paraqet mjaft risi. Së pari gjejmë një look avantgarde dhe retro në të njëjtën kohë. Linjat klasike që vijnë nga e kaluara janë të miksuara me teknologjinë e fundit. Gojëzat e ajrit janë të rrumbullakëta, të pozicionuara më poshtë krahasuar me modelin paraardhës, por të rinovuara me ndriçim të brendshëm, i cili ndryshon ngjyrë sipas temperaturës.
Linjat janë të pastra dhe i gjithë kruskoti është i ndërtuar pa asnjë ndërprerje horizontale nga e majta në të djathtë, aq sa kuadri i ri së bashku me seksionin infotainment, duket sikur janë vendosur mbi të njësoj si të ishte një tablet gjigand. Nga forma e tij, fjala cockpit nuk i rrin shumë për shtat, por kjo kompensohet nga informacionet dhe opsionet panumërta.
Le të fillojmë me përshëndetjen “Hey Mercedes”! Ky është edhe passwordi që aktivizon një sistem multimedial i cili prezantohet për herë të parë me A Class. Quhet MBUX (Mercedes Benz User Experience) dhe sipas premtimeve duhet të jetë për Mercedesin hapi më teknologjik drejt një ere të re totalisht të ndërlidhur. Aktivizohet me komanda vokale dhe më tej mund të kërkohen informacione mbi kohën, karburantin më të afërt apo edhe restorant të mundshëm për të bërë një pushim.
Të gjitha këto bazohen në navigimin e avancuar Car-to-X i cili mundëson marrjen e informacionit në kohë reale mbi çfarë ndodh rreth makinës (nëse dikush frenon befas përpara nesh) vendndodhjen e saj duke njoftuar nëse dikush e godet ose nëse policia bashkiake e “tërheq” për shkak të një parkimi të gabuar. Komunikimi me makinën mundësohet nëpërmjet smartphone-t tuaj.
Pavarësisht pamjes sportive, A Class i ri ofron më shumë hapësirë në bord dhe hyrje më të lehtë edhe për pasagjerët e pasëm. Siç e thamë, përmasat e makinës janë më se të bollshme dhe këtu përfiton edhe bagazhi i cili tani ka kapacitet 370 litra, 29 më shumë se modeli paraardhës.
A Class i ri trashëgon gjithashtu teknologjinë e plotë dhe të avancuar nga klasat superiore C-S me sisteme elektronike të shumta që përfshijnë Active Distance Assist, Active Emergency Stop Assist, Active Lane Change Assist dhe Active Brake Assist. Falë këtyre sistemeve, A Class është e aftë të eci vetë në disa situata të caktuara. Radarët dhe kamerat, gjithmonë aktive në rrugë, mund të monitorojnë rrugën deri në 500metra distancë. Këto të dhëna kryqëzohen me të dhënat e hartave të navigatorit dhe bëjnë të mundur reagimin automatik të makinës, psh të ngadalësojë ndërkohë që i afrohemi një kryqëzimi apo duke frenuar në rast të një kalimtari që na del përpara, etj.
Gama e motorëve duhet të jetë e gjerë por versionet e lançimit janë tre. Versioni A 200, bazohet në motorin 1.3 benzine me turbo, me origjinë Nissan/Renault. Ky motor zhvillon 163 kuaj fuqi dhe duhet të ketë konsum mesatar 5.1 l/100 km. A 250, i pajisur me kambio automatike 7G-DCT (me dopio freksion) i cili zhvillon 224 kuaj fuqi dhe konsumon mesatar 6 litra/100km.
Versioi i tretë, A 180d, do të jetë me naftë dhe do të bazohet në njësinë motorike 1.5 litra dhe zhvillon 116 kuaj fuqi. Konsumi është 4.1litra/100km.
A class i ri do të jetë i disponueshëm për tregun shqiptar brenda vitit 2018.